Drita dhe Ballkani rikthehen sonte në garat evropiane

09:49 | 22 Korrik 2025
E.G

Dy skuadrat kosovare, FC Drita dhe FC Ballkani rikthehen sonte në aksion në garat evropiane.

Kampionia e Kosovës, Drita, do të përballet me gjigantin danez Copenhagen në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Kjo sfidë do të luhet në “Parken Stadium” të Kopenhagës dhe sjelle një sfidë shumë të rëndësishme për ekipin nga Gjilani, i cili synon të shkruajë historinë në arenën evropiane.

Drita kaloi me sukses raundin e parë të garës më prestigjioze për klube në Evropë dhe tashmë përballet me një kundërshtar shumë më të fortë në letër.

Copenhagen ka përvojë të gjatë në garat evropiane dhe shihet favorit, por ekipi i drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani mbetet i vendosur për të dhënë maksimumin dhe për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë.

Dueli mes skuadrës daneze dhe Dritës fillon në orën 19:00.

Ndërkaq, skuadra nga Theranda, FC Ballkani, sonte do ta nisë aventurën e saj evropiane për sezonin 2025/26.

Ballkani do të përballet me ekipin maltez Floriana FC në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Ky duel do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe do të shënojë ndeshjen e parë zyrtare të skuadrës nga Suhareka këtë edicion të garave në ‘tapetet’ evropiane.

Pas një verë me përgatitje intensive dhe përforcimeve të bëra, therandasit janë të gatshëm të kërkojnë fitoren në shtëpi për të arritur një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit në Maltë.

Floriana, një skuadër me përvojë në kualifikimet evropiane, nuk do të jetë një kundërshtar i lehtë, por Ballkani, nën drejtimin e trajnerit Orge Shehit, synon të përsërisë sukseset e viteve të fundit të skuadrës sonë në Evropë.

Ndeshja mes Ballkanit dhe Floriana-s fillon në orën 20:30./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme