“Do t’ua prish planet dhe do ta trondis botën këtë korrik në Arabinë Saudite” – Prega paralajmëron Joshuan

16:33 | 27 Prill 2026
D.H

Një emër që qëndron mes Anthony Joshuas dhe përballjes së shumëpritur gjithë-britanike me Tyson Furyn është Kristian Prenga.

Pak njerëz e kanë dëgjuar më parë emrin e boksierit shqiptar deri sot kur u bë e ditur se ai do të përballet me Joshuan këtë verë.

Të dy pritet të ndeshen më 25 korrik në Riad të Arabisë Saudite, në një event të “Esports World Cup”, i cili do të transmetohet live në DAZN.

Nëse Joshua arrin ta kalojë këtë “pengesë”, atëherë ai do ta sigurojë rrugën drejt një dueli të shumëpritur me Tyson Furyn, i cili përkohësisht është planifikuar për në nëntor.

Megjithatë, Prenga është i vendosur ta prishë këtë skenar.

“Anthony Joshua është një luftëtar i madh, por ai e ka bërë një llogaritje të tmerrshme dhe të gabuar duke më zgjedhur mua si kundërshtar.”

“Ky është lloji i meçit që ndryshon gjithçka në jetën time dhe të tij.”

“E di që ata kanë plane të mëdha pas këtij meçi. E di që po më nënvlerësojnë. Jam i lumtur për këtë.”

“Do t’ua prish planet dhe do ta trondis botën këtë korrik në Arabinë Saudite.”

Prenga ka statistika impresionuese prej 20 fitoresh dhe 1 humbjeje, ku të gjitha fitoret i ka me nokaut.

Humbja e tij e vetme erdhi në vitin 2017, kur humbi me vendim unanim nga italiani Giovanni Auriemma.

Meçin e fundit Prenga e zhvilloi në shkurt, kur e nokautoi Joe Jones që në raundin e parë.

Prenga nuk renditet lartë në asnjë prej katër organizatave kryesore të boksit në kategorinë e peshave të rënda.

Megjithatë, ai ka mbajtur për pak kohë titullin e North American Boxing Association, pas një fitoreje me ndërprerje në raundin e tretë ndaj Samuel Crossed.

Edhe pse është lindur në Orosh të Shqipërisë, Prenga tani jeton në Edgewater, New Jersey, gjë që e bën të kualifikuar për tituj rajonalë.

Sipas BoxRec, ai renditet i dyti mes peshave të rënda aktive shqiptare, pas Nelson Hysës (24-0).

Prenga është zgjedhur me synimin për përgatitjen e Joshuas për duelin me Furyt.

Shqiptari është një boksier i gjatë dhe i vështirë për t’u lexuar, me stil lëvizës që mund t’i shërbejë Joshuas si test para përballjes së madhe.

Me një gjatësi prej 1.96 metra, ai është rreth 10 cm më i shkurtër se Fury, por e përdor mirë gjatësinë dhe distancën përmes “jab”-it.

Ai përdor shpesh goditje të tipit “uppercut” dhe “bolo punches”, njësoj si Fury, dhe është i mirë në goditjet në trup.

Dora e tij e djathtë e drejtpërdrejtë dhe “hook”-u i majtë në trup i kanë mbyllur shumicën e meçeve me nokaut.

 

Shpërndaje në rrjete sociale