De la Fuente kritikon Argjentinën pas finales së Botërorit: Reagimet ishin të papranueshme

19:16 | 23 Korrik 2026
D.H

Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka kritikuar ashpër sjelljen e disa lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit të Argjentinës pas përfundimit të finales së Kupës së Botës.

Spanja triumfoi me rezultat 1-0 në finalen e zhvilluar në stadiumin “MetLife” në Neë Jersey, ndërsa pas ndeshjes pati disa incidente mes lojtarëve dhe stafit të të dyja ekipeve. FIFA pritet të hapë një hetim disiplinor për këto ngjarje.

De la Fuente tha se reagimet e argjentinasve ishin të papranueshme dhe vlerësoi sjelljen e futbollistëve të tij.

“Në atë moment nuk e kuptova, sepse isha duke festuar. Por sidoqoftë, është diçka e papranueshme dhe nuk mund të lejohet. Lojtarë të atij niveli, me një trajner të madh, i cili me siguri ka vuajtur njësoj si ne duke parë ato reagime… Nuk është e tolerueshme. Dua të theksoj sjelljen e lojtarëve tanë përballë provokimeve. Ata gjithmonë ruajtën qetësinë dhe u sollën si sportistë të vërtetë”, deklaroi ai.

Trajneri spanjoll pranoi se ende po e përjeton emocionin e fitimit të titullit dhe se me kalimin e ditëve do ta kuptojë më shumë madhështinë e këtij suksesi.

Ai foli edhe për vështirësitë gjatë turneut, duke përmendur udhëtimet e gjata, klimën dhe lodhjen fizike gjatë një grumbullimi që zgjati 52 ditë.

“Kemi bërë 24 mijë kilometra, kemi pasur lagështi, pak pushim… I gjithë ky proces deri në finale ishte një sfidë më vete, përtej kundërshtarëve që kishim përballë.”

De la Fuente foli me superlativa edhe për Rodrigo Hernández, fituesin e çmimit “Topi i Artë” të Botërorit, duke e cilësuar si mesfushorin më të mirë në botë në pozicionin e tij.

“Me gjithë respektin, të dyshosh te Rodri ishte një fyerje për inteligjencën futbollistike. Ai është më i miri në botë në pozicionin e tij. Kemi edhe Martín Zubimendin, i cili ndoshta është i dyti më i miri. Rodri u rrit nga ndeshja në ndeshje. I kam thënë se edhe në 50 për qind të formës së tij është më i mirë se shumë lojtarë.”

Trajneri spanjoll vlerësoi gjithashtu paraqitjen e Lamine Yamalit, i cili në moshën 19-vjeçare u shndërrua në një nga figurat kryesore të skuadrës.

“Ky Botëror do të jetë një hap cilësor në zhvillimin e tij. Ai tashmë është një futbollist i jashtëzakonshëm, por është ende 19 vjeç dhe duhet të vazhdojë të piqet. Ky turne i ka shërbyer për të kuptuar edhe anën tjetër të futbollit, sakrificën për ekipin dhe ndihmën ndaj bashkëlojtarëve.”

Sa i përket të ardhmes, De la Fuente pranoi se do të ishte një nder i madh të drejtonte Spanjën edhe në Kupën e Botës 2030, që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.

“Do të ishte krenaria më e madhe për një trajner. Por tani jam i fokusuar te e ardhmja e afërt, te ndeshjet e shtatorit dhe tetorit. Botërori i ardhshëm duket shumë larg. Nëse plotësohen kushtet dhe objektivat profesionale, pse jo?”

Në fund, trajneri foli edhe për premtimin e mbrojtësit Marc Cucurella, i cili kishte thënë se do të bëjë tatuazh fytyrën e De la Fuentes nëse Spanja fiton titullin.

“I kam thënë se është i çmendur. Por kush bën një premtim duhet ta mbajë, dhe ai është njeri i fjalës”, tha me shaka trajneri.

De la Fuente përfundoi duke falënderuar të gjithë tifozët spanjollë për mbështetjen.

“Dua të falënderoj të gjithë vendin për përkrahjen. Edhe nga larg e kemi ndjerë dashurinë tuaj. Është një krenari e madhe të jesh spanjoll. Faleminderit, Spanjë.”

Spanja u shpall kampione e Botës për herë të dytë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale