Chiellini paralajmëron Juventusin për duelin me Galatasaray

15:15 | 30 Janar 2026
E.K

Duke folur për Sky Sport pas shortit të Ligës së Kampionëve, drejtori i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka komentuar përballjen e “playoff”-it ndaj Galatasarayt, e cila do të zhvillohet mes datave 17 dhe 24 shkurt.

“Është një skuadër e fortë, me individë të shkëlqyer, lojtarë vërtet shumë të mirë. Ndeshjen e dytë do ta luajmë në shtëpi, kështu që gjithçka nuk përfundon në Stamboll”.

“Por duhet të shkojmë në atë stadium dhe të luajmë lojën tonë, të nxjerrim në pah dobësitë e tyre që i kanë, por njëkohësisht të kufizojmë potencialin e madh dhe cilësinë individuale që ata kanë, jo vetëm në sulm”.

“Të gjithë e njohim mirë Victor Osimhenin, por ka edhe lojtarë të tjerë shumë të rëndësishëm”.

Duke folur konkretisht për Osimhenin, Chiellini shtoi me humor se sot nuk do arrinte ta markonte atë as dy minuta.

“Në një moment do të më kishte pëlqyer ta markoja, po, por sot nuk do të zgjasja as dy minuta. Kam qenë me fat që kam luajtur kundër tij disa herë gjatë karrierës sime, por ishte shumë vonë për mua, kështu që le të themi se parametrat e mi fizikë ishin të kufizuar ndaj një lojtari si Osimhen”.

“Por Galatasaray nuk është vetëm ai; ka shumë lojtarë të rëndësishëm. Kampionati turk po investon shumë dhe po afron profile të nivelit të lartë. Do të jetë një përballje dyshe shumë interesante”, përfundoi italiani.

Chiellini e mbylli deklaratën duke shprehur respekt për Galatasarayn, por edhe besim te rritja e Juventusit dhe ambicia e klubit për të shkuar përtej fazës së “playoff”-it këtë sezon./Telegrafi/