Klubi ukrainas, Metalist 1925 ka njoftuar se sulmuesi Baton Zabërgja është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjen ndaj Sllovakisë këtë muaj.
Kosova do të luajë në udhëtim te Sllovakia më 26 mars në kuadër të ndeshjes play-off për kualifikim në Kupën e Botës.
Për këtë ndeshje shumë të rëndësishme për Dardanët tashmë kanë filluar të shkojnë edhe ftesat në drejtim të lojtarëve.
Njëri nga të ftuarit e parë është sulmuesi vushtrrias Baton Zabërgja, me njoftimin që ka ardhur nga klubi i tij ukrainas, Metalist 1925.
“Sulmuesi i “Metalista 1925”, Baton Zabergja, është thirrur në ekipin kombëtar të Kosovës për ndeshjen e playoff-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026”.
“Në gjysmëfinalet e playoff-it më 26 mars, Kosova do të luajë jashtë fushe me Sllovakinë, dhe tashmë më 31 mars, varësisht nga rezultati, mund të ndeshet me dikë nga çifti i kombëtareve Turqi/Rumani”, thuhet në njoftimin e klubit ukrainas. /Telegrafi/