Barcelona thyen rekordin nëntë-vjeçar sa i përket golave të shënuar

22:22 | 25 Dhjetor 2025
D.H

Një nga tiparet kryesore të Barcelonës së Hansi Flick është etja e pashtershme për gola.

Trajneri gjerman i kërkon vazhdimisht ekipit të sulmojë dhe të kërkojë portën kundërshtare, pavarësisht rezultatit, dhe kjo filozofi po reflektohet në shifra vërtet mbresëlënëse në fazën ofensive.

Barcelona e ka mbyllur vitin 2025 me 169 gola të shënuar në 60 ndeshje në të gjitha kompeticionet, një statistikë që flet vetë për fuqinë sulmuese të katalanasve.

Veçanërisht vdekjeprurës kanë qenë në LaLiga, ku në 37 ndeshje kanë realizuar 102 gola, me një mesatare prej 2.75 golash për ndeshje.

Nga gushti deri në dhjetor, Barcelona ka shënuar gjithsej 67 gola, 51 në LaLiga, 14 në Champions League dhe dy sosh në Kupën e Mbretit.

Në këtë periudhë spikasin fitoret bindëse me gjashtë gola ndaj Valencias dhe Olympiacos, pesë ndaj Betisit, si dhe katër gola ndaj Athletic Bilbaos dhe Celta Vigos.

Nga 25 ndeshje, në 13 prej tyre Barcelona ka shënuar tre ose më shumë gola.

Ndërkohë, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, katalanasit regjistruan rezultate edhe më spektakolare, me shtatë gola ndaj Valencias, si dhe pesë gola ndaj Real Madridit, Betisit dhe Benficas.

Shifra prej 169 golash është më e mira për Barcelonën që nga viti 2016, kur skuadra e drejtuar nga Luis Enrique kishte realizuar 174 gola (mesatare 2.94 për ndeshje), falë treshes së frikshme Messi–Neymar–Suárez.

Në vitin 2025, më së shumti gola shënuan Lewandowski, Ferran Torres, Raphinha, Lamine Yamal dhe Fermín./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale