Barcelona e vendosur për ta mbajtur Rashford-in

11:20 | 19 Dhjetor 2025
A Z

Gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, FC Barcelona arriti të sigurojë shërbimet e Marcus Rashford, pasi dështoi në përpjekjet për të transferuar Nico Williams, i cili vendosi të rinovojë kontratën me Athletic Club, si dhe për shkak të pamundësisë për të nënshkruar me kolumbianin Luis Diaz.

Në këtë situatë, klubi katalanas i drejtoi sytë kah sulmuesi anglez i Manchester United.

Vetëm pesë muaj më vonë, mund të thuhet se ky vendim ka rezultuar i qëlluar. Rashford është ambientuar shpejt te Barcelona dhe ka dhënë një kontribut të madh, duke realizuar shtatë gola dhe 11 asistime në 23 ndeshje zyrtare me fanellën blaugrana.

Performancat e tij të shkëlqyera kanë bërë që drejtuesit e Barcelonës të nisin seriozisht diskutimet për të ardhmen e lojtarit.

Sipas “Mundo Deportivo”, departamenti sportiv i klubit është i prirur të aktivizojë opsionin e blerjes të përfshirë në marrëveshjen e huazimit me Manchester United, i cili parashikohet të jetë në vlerën e 30 milionë eurove në verën e ardhshme.

Përtej statistikave, stafi teknik vlerëson shumë shkathtësinë e Rashfordit, i cili mund të luajë si në krah të sulmit ashtu edhe në pozicione më qendrore. Po ashtu, vlerësohen shpejtësia, goditja e fortë me top, si dhe ndikimi pozitiv që prania e tij ka në rritjen e konkurrencës brenda repartit ofensiv.

Edhe pse sezoni ka ende gjysmën e tij për t’u zhvilluar, gjithçka tregon se e ardhmja e Marcus Rashford është e lidhur ngushtë me Barcelonën, e cila duket e gatshme ta bëjë transferimin e tij të përhershëm.