Kurti kujton rezistencën heroike në Gllogjan

23:36 | 24 Mars 2026
R J

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar sot rezistencën heroike në Gllogjan të Deçanit, më 24 mars 1998, ku njësite të policisë serbe sulmuan fshatin, por u përballën me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Luftëtarët e familjes Haradinaj dhe të tjerë arritën të zmbrapsin forcat serbe, ndërsa disa ranë dëshmorë duke mbrojtur fshatin dhe nxënësit e marrë peng.

Kurti nderoi heroizmin e tyre dhe lavdëroi veprën e dëshmorëve, duke theksuar rëndësinë e rezistencës së Gllogjanit si një nga kapitujt e parë të betejave të popullit të Kosovës gjatë luftës çlirimtare.

“Hilmi Haradinaj me djemtë e tij Ramushin, Shkelzenin, Dautin, Frashërin dhe Enverin, me motrën e tyre Memen, bashkë me kushërinjt Rasimin dhe Bujarin, si dhe me nipin Kujtim Zeneli, përkundër gjasave të pakta përballë forcave të shumta serbe, arritën t’i zmbrapsin ata. Rezistenca e tyre e armatosur dhe plot heroizëm, u shkaktoi humbje të mëdha forcave serbe, që në mbrëmje u tërhoqën të mposhtura. Në anën tjetër të fshatit, duke dashur t’i ndihmojnë nxënësit e marrë peng në shkollën e fshatit Shaptej, ranë dëshmorë Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj. Atë ditë, më 24 mars 1998, u plagos rëndë dy herë Ramush Haradinaj, por arriti t’u mbijetonte plagëve duke e vazhduar luftën si Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkroi Kurti.

Shpërndaje në rrjete sociale