Ballkani ka shënuar fitore ndaj Prishtinës në xhiron e shtatëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll, duke triumfuar me rezultat 3:1 në Suharekë. Ndërkohë, Drita dhe Gjilani janë ndarë baras në derbin e Anamoravës, ndërsa pa gola ka përfunduar ndeshja Llapi–Malisheva.
Prishtina e drejtuar nga trajneri Afrim Tovërlani, ka kaluar e para në epërsi me golin e Gentrit Salihut në minutën e trembëdhjetë.
Reagimi i Ballkanit ka qenë i shpejtë. Bleart Tolaj e ka barazuar rezultatin në minutën e njëzet e dytë, ndërsa në minutën e tridhjetë e një Salihu ka shënuar autogol për 2:1 në të mirë të suharekasve.
Para përfundimit të pjesës së parë, Ballkani e ka siguruar fitoren. Walid Hamidi ka asistuar për Valentin Sereben, i cili ka fituar penallti pasi ka kaluar portierin Altin Gjokaj. Sulmuesi e ka realizuar saktë penalltinë për rezultatin përfundimtar 3:1.
Para nisjes së ndeshjes, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të Dren Feratajt, anëtar i stafit të FC Prishtinës që është ndarë nga jeta ditë më parë. Lojtarët dhe gjyqtarët kanë mbajtur fanella me fotografinë e tij, ndërsa Prishtina ka nxjerrë pankartën: “Gjithmonë në zemrat tona, Dren”.
Në derbin e Anamoravës, Drita dhe Gjilani kanë barazuar 1:1.
Kampionia në fuqi ka kaluar në epërsi me golin e Arb Manajt në minutën e shtatëdhjetë e pestë, por Armend Thaqi e ka barazuar katër minuta më vonë me një goditje dënimi.
Pa fitues përfundoi edhe ndeshja Llapi–Malisheva, e cila është mbyllur 0:0. Llapi ka luajtur rreth tridhjetë minuta me një lojtar më shumë, pas përjashtimit të një futbollisti të Malishevës në minutën e gjashtëdhjetë e tretë, por nuk ka arritur ta shfrytëzojë epërsinë numerike.
Aktualisht Ballkani e ka forcuar pozitën e parë në tabelë me tridhjetë e dy pikë, katër më shumë se Dukagjini në vendin e dytë. Në fund të tabelës mbetet Prishtina e Re me pesëmbëdhjetë pikë.
KFOR dhuron pajisje edukative për shkollën `Fetah Sylejmani`...
Rama takon Sekretarin e Shtetit të Iowa-s, flasin për invest...
Kurti njofton aderimin e Adelina Tërshanit në VV, do të kand...
Marrëveshja për refugjatët me Italinë, reagon Rama: Do të va...
ASK: Inflacioni në Kosovë arrin 7,5% në prill 2026
Mimoza hedh akuza ndaj Zhakut: Me mua nuk ke histori, mund t...