Aston Villa fantastike, arriti suksesin që e kishte pritur që nga Lufta e Parë Botërore

13:52 | 28 Dhjetor 2025
E.K

Lojtarët e Aston Villas po përjetojnë sezonin më të mirë dhe më impresionues në futbollin evropian këtë vit.

Të shtunën mbrëma, skuadra nga Birminghami arriti të përsërisë një rekord historik të klubit, i cili kishte mbetur i paprekur që nga viti 1914.

Aston Villa triumfoi me rezultat 2-1 ndaj Chelseat në zemër të Londrës, një fitore që e fut plotësisht në garën për titullin e Liga Premier, vetëm tri pikë larg liderëve të Arsenalit.

Kjo ishte fitorja e 11-të radhazi për “Luanët e Birminghamit” në të gjitha garat, një arritje që klubi nuk kishte qenë në gjendje ta përsëriste për plot 111 vjet. Ajo që dikur ishte arritur në fillim të shekullit të kaluar, tani është bërë realitet brenda vetëm dy muajve të fundit.

Gjatë kësaj serie të jashtëzakonshme, Aston Villa ka mposhtur një varg kundërshtarësh të fortë, duke përfshirë: Maccabi Tel Aviv, Bournemouth, Leeds, Young Boys, Wolverhampton, Brighton, Arsenal, Basel, West Ham, Manchester United dhe së fundi Chelsean.

Edhe pse bëhet fjalë për një klub historik, shtatë herë kampion i Anglisë dhe fitues i Ligës së Kampionëve në vitin 1982 – rezultatet e këtij sezoni janë vërtet sensacionale.

Askush nuk e kishte parashikuar që në gjysmën e sezonit Aston Villa do të ishte vetëm tri pikë larg kreut dhe do t’i linte pas vetes disa nga gjigantët e futbollit anglez.

Arkitekti kryesor i këtij suksesi të madh është Unai Emery, trajneri spanjoll me përvojë të jashtëzakonshme, i cili edhe një herë po dëshmon se është një specialist i nivelit më të lartë në ndërtimin e skuadrave konkurruese. /Telegrafi/