Arteta në telashe, dy yjet e Arsenalit kanë probleme me lëndime

18:18 | 28 Tetor 2025
D.H

Probleme të reja për Mikel Artetën dhe skuadrën e tij, teksa William Saliba dhe Declan Rice janë detyruar të dalin nga fusha për shkak dëmtimesh.

Pas ndeshjes, trajneri spanjoll foli për mediat dhe konfirmoi se situata nuk është plotësisht e qetë.

“Duhej ta zëvendësonim Saliban, sepse ndiente dhimbje”, tha Arteta.

“Nuk ishte mirë për të vazhduar. Me Declan ishte e njëjta gjë. Duhej të bënim disa ndryshime për shkak shqetësimesh fizike. Kur një lojtar nuk mund të vazhdojë, nuk është kurrë shenjë e mirë, ndaj do të shohim”.

Trajneri i Arsenalit shtoi se Rice kishte marrë një goditje që nga pjesa e parë, ndërsa Saliba u ndje keq në fund të saj.

“E para ishte me Willyn, që duhej nxjerrë në pushim. Declan po e ndiente dhimbjen që në pjesën e parë pas një goditjeje”, shpjegoi Arteta.

Kur u pyet për më shumë detaje mbi dëmtimet, Arteta u tregua i kujdesshëm:

“Nuk mund të them shumë, jo sepse s’dua, por sepse nuk e di me siguri. Me Willy-n ka dy gjëra të ndryshme që duhen kontrolluar, ndërsa me Declan-in nuk e di nëse është pulpa, Akili apo diçka tjetër”.

Mbrojtësi francez e kishte humbur ndeshjen kundër Nottingham Forest më herët në sezon për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, të pësuar në javën e tretë kundër Liverpoolit.

Ai kishte luajtur vetëm 45 minuta në transfertën me Newcastle dy javë më vonë.

Sezonin e kaluar, Saliba humbi tre ndeshje – një për pezullim, një për një problem në muskul, dhe një për pushim.

Rice, shtylla e mesfushës që tani shqetëson tifozët

Ndërkohë Declan Rice ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Arsenalit këtë sezon, duke mbajtur ekipin në ekuilibër mes shumë mungesash.

Por tani, me këtë dëmtim të ri, Arteta mund të detyrohet ta pushojë në ndeshjen e Kupës së Ligës kundër Brighton, për ta pasur gati në derbin e madh të Londrës së Veriut kundër Tottenham këtë fundjavë.

Shpërndaje në rrjete sociale