Gurthemeli në ‘Zahir Pajaziti’, Kurti: Ia kemi borxh Llapit, ka dhënë yje

11:55 | 11 Dhjetor 2025
A Z

“FC Llapi ka traditë të gjatë në futboll. Edhe pak bëhen 100 vjet të këtij klubi. Nga ky klub kanë dalë emra të mëdhenj si Fadil Vokrri e Fazi Rama dhe i kemi borxh investimet në këtë klub”.

Kështu ka thënë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të enjten në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e tribunave dhe ndriçimit në Stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

“Jemi këtu bashkë me kryetarin e komunës dhe me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe me miqtë e tjerë në rastin e vendosjes së gurëthemelit në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku luan Llapi. Llapi ka traditë të gjatë, edhe pak bëhen 100 vjeç dhe i kemi shumë borxh sepse nga këtu kanë dalë yjet e futbollit, duhet përmendur Fadil Vokrri e Rama”, ka thënë Kurti.

“Është shumë e rëndësishme sepse investimi në sport do të angazhojë talente të rinj që do ta ngrisin nivelin më të lartë në përgjithësi. Vendosja e gurë-themelit e kompleton këtë stadiumi. Ndriçimi do ta shndërrojë ‘Zahir Pajazitin’ në stadium të nivelit që i plotëson kriteret e UEFA-s”, ka theksuar Kurti.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi është shprehur i lumtur që stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ po bëhet stadium i niveleve evropiane.

“Kënaqësi që së bashku me Kurtin dhe Ministrin e Kulturës, po inguarojmë gurë-themelin e stadiumit ‘Zahir Pajaziti’, ku po krijohet mundësinë e finalizimit në të gjitha punët”, tha Bulliqi.

“Ndriçimi publik është më standardet e UEFA-s që i plotëson të gjitha kriteret. Besoj se me këtë investim i përmbyllim punët në stadiumin e Podujevës, tashmë të gjithë që do të vijnë që t’i shohin ndeshjet e Llapit dhe tjerat që do të luhen këtu do të kenë kushte të jashtëzakonshme. Faleminderit të gjithëve atyre që ndihmuan”, ka pohuar Bulliqi.