​Solari i fajëson gazetarët për incidentin e Ramosit me kartonin e verdhë

23:35 | 16 Shkurt 2019
A Z

Trajneri i Real Madridit, Santiago Solari, ka sugjeruar se gazetarët kishin qenë mashtrues dhe të paqartë në mënyrën se si ia kishin bërë pyetjen për incidentin me kartonin e verdhë Sergio Ramosit.
Ramosi do të mungojë në ndeshjen kthyese kundër Ajaxit, në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, pasi u ndëshkua me karton të verdhë në fitoren kontroverse të Real Madridit me rezultat 2:1.

Në ndeshjen e tij të 100-të për Real Madridin, spanjolli u ndëshkua me karton të verdhë pak para fundit të ndeshjes, duke u siguruar kështu se do të mund të luajë në ndeshjet e çerekfinales, nëse arrijnë të kualifikohen nga kjo fazë.

“Sa i përket asaj që e ka thënë Segio, ai i ka dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme dhe ai ka treguar qartë se kishte qenë duke folur për ndërhyrjen”, ka thënë Solari në konferencën për shtyp.

“Atij iu bë një pyetje e ndërlikuar, ju, gazetarët, i keni metodat e juaja. Sidoqoftë, ai ka sqaruar gjithçka”.

Pas ndeshjes, Ramosi kishte ngjallur shumë debat, pasi që kishte thënë se e kishte bërë qëllimisht ndërhyrjen.

“Duke e parë rezultatin e ndeshjes, do të gënjeja nëse do them se nuk e bëra qëllimisht [ndërhyrjen për t’u ndëshkuar]. Nuk e bëra për ta nënvlerësuar kundërshtarin ose pse mendova se e kemi siguruar kualifikimin, mirëpo në futboll duhet të marrësh vendime të vështira”, ka thënë Ramosi.

Megjithatë, spanjolli i ndryshoi fjalët e tij, vetëm disa orë më vonë, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.

Megjithatë, tani Ramosi ka thënë se ai ishte habitur nga i gjithë debati rreth deklaratave të tij, duke insistuar se ai kishte thënë që e kishte bërë me qëllim ndërhyrjen, mirëpo nuk e kishte bërë me qëllim për t’u ndëshkuar me karton të verdhë.

“Jam i habitur nga e gjitha kjo. Unë desha të them se e bëra ndërhyrjen me qëllim, një ndërhyrje që ishte e paevitueshme, e jo që u ndëshkova qëllimisht me karton të verdhë”, ka thënë Ramos për Marcan.

 

Shpërndaje në rrjete sociale