Vijon puna për izolimin e zjarrit në Elbasan

18:58 | 3 Korrik 2025
Q L

Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile ka bërë të ditur se prej më shumë se 72 orësh vijon puna intensive për izolimin e vatrës së zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të bashkisë së Elbasanit

Sipas Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, po punohet gjithashtu për shuarjen e flakëve dhe se situata po mbahet nën vëzhgim nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore.

Ndërkaq, në terren po operohet me mjete të shtuara dhe më shumë se 100 forca të angazhuara nga bashkia Elbasan dhe bashkitë fqinje, sikundër dhe nga Forcat e Armatosura.

Sipas AKEC-së, ndërhyrja është përqendruar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit me 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara. Aktualisht mjetet e rënda vetëshkarkuese dhe forcat xheniere po punojnë njëkohësisht për mbulimin e vatrës, ndërkohë që pompa thithëse me kapacitet të lartë mundësojnë hedhjen e ujit direkt në vatrën aktive.

“Gjithashtu, operacioni mbështetet nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore. Autoritetet vendore dhe qendrore mbeten të angazhuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar ndikimin në mjedis. Publiku do të vijojë të informohet rregullisht mbi zhvillimet më të fundit”, thuhet në njoftimin e Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale