Qytetarët në pesë bashki të vendit po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e pjesshme vendore, të cilat nisën sot në orën 07:00. Deri në orën 15:00, pjesëmarrja ka arritur 15.39%, ndërsa pritet që rreth 334 mijë qytetarë me të drejtë vote t’i drejtohen 472 qendrave të votimit deri në orën 18:00 për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj të Matit, Tepelenës, Vlorës, Beratit dhe Cërrikut.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bashkia Mat ka deri në këto momente pjesëmarrjen më të lartë të votuesve, e ndjekur nga bashkia Tepelenë, Cërrik, Berat dhe Vlorë.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në secilën bashki është për Vlorën 172 mijë, Beratin mbi 82 mijë, Cërrikun rreth 39 mijë, Mat mbi 29 mijë dhe Tepelenë mbi 12,600.
Në këto zgjedhje, kandidatët kanë hedhur votat e tyre dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve për të marrë pjesë masivisht. Gjatë deklaratave për media, edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka raportuar për një proces të qetë dhe pa problematika.
Në këto zgjedhje të pjesshme, në Vlorë garojnë për të marrë drejtimin e Bashkisë, kandidatja socialiste Brunilda Mersini përballë Dionis Sotës, kandidatit të mbështetur nga opozita, si dhe anëtarit të këshillit bashkiak nën siglën e demokratëve Gjergj Nika.
Për bashkinë e Beratit, në garë sot janë kandidati socialist Ervin Caka dhe kandidati i mbështetur nga opozita Pavlo Shkarpa.
Për bashkinë e Matit në garë janë kandidati socilaist Altin Bojni dhe Eduard Brahilika, i mbështetur nga opozita.
Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka përballet me dy kandidatët e pavarur, Amarildo Hoxha i mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët, dhe Eligert Hima propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Për bashkinë e Tepelenës garojnë kandidati socialist Gramoz Sako, ndërsa opozita ka mbështetur të pavarurin Gabriel Guma.
Kryebashkiakët që do të dalin fitues nga këto zgjedhje do të kenë një mandat njëvjeçar e gjysmë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të radhës lokale në pranverën e vitit 2027./rtsh
Moti këtë fundjavë
Akt i guximshëm: Sasa publikon fotot ku tregohet trupi i saj...
Kurti: S`heqim dorë nga punët e mira e shërbimi ndaj të mirë...
Flick: Barcelona ka shumë punë, pavarësisht epërsisë
Raportohet se plani i paqes parasheh anëtarësimin e Ukrainës...
“18 vjet, dreq”, përplasje, ofendime e xhelozi mes Benitës d...