Sulmuan me sende të forta një 61-vjeçar në Vlorë, arrestohen 2 të rinj me precedentë penalë

22:25 | 9 Tetor 2025
E.G

Policia e Vlorës ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për dhunimin e rëndë të një 61-vjeçari, ngjarje e ndodhur në zonën e njohur si “Tregu i Çoles”, në lagjen “Bashkimi”.

Nga këqyrja e pamjeve filmike policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e dy të rinjve, E. S., 37 vjeç, i dënuar më parë për “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer me armë zjarri dhe K. N., 30 vjeç, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Sipas Policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht me sende të forta shtetasin K. K., 61 vjeç.

Nga ambientet e spitalit, i plagosuri ka rrëfyer për mediat se nuk i njihte të rinjtë dhe se ato i zunë rrugën dhe filluan ta godisnin.

“Isha te posta e Çoles duke bërë pazar dhe më erdhi një furgon dhe më bllokoi rrugën. Zbritën dy djem të rinj dhe filluan të më godasin. Pasi më lanë në gjak, tentuan të iknin me furgon. Mora biçikletën dhe u përpoqa t’u zija rrugën, por më rrahën sërish, më hodhën biçikletën dhe u larguan. Nuk e imagjinoj pse ndodhi, sepse nuk pata asnjë konflikt me ta. Në fund më thanë ‘shko në polici po deshe’. Më pas, një familjar i tyre më erdhi në spital dhe më tha se i kishte marrë vetë djemtë dhe i kishte dërguar në polici”, tha 61-vjeçari për mediat.

Aktualisht, i plagosuri ndodhet i shtruar në repartin e Reanimacionit të Spitalit Rajonal të Vlorës.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë, e cila po heton për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme