Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi projektligjin “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, duke theksuar se ai përfaqëson një hap politik dhe institucional për përshtatjen e diplomacisë shqiptare me sfidat e reja globale.
Spiropali u ndal te zhvillimet ndërkombëtare, ku tha se shtetet sot nuk gjykohen më vetëm nga madhësia, por nga qartësia e orientimit të tyre strategjik.
Ajo nënvizoi se Shqipëria ka zgjedhur qartë rrugën e saj dhe sot është një vend që formëson vendime në tryezat ndërkombëtare.
“Lufta është rikthyer në kontinentin evropian. Tensionet në Lindjen e Mesme forcojnë rivalitetin global dhe kjo po e bën rendin global më të paqëndrueshëm. Shtetet nuk gjykohen më vetëm nga madhësia e tyre, por edhe nga qartësia e orientimit të tyre. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj: anëtarësimin në BE, përforcimin e rolit të NATO-s dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon. Nga një vend që kërkonte vetëm hapjen e dyerve, sot është pjesë e tryezave ku merren vendime. Shqipëria nuk pret më vendime nga të tjerët, por i formëson ato. Shqipëria nuk është më një vend që pret në korridoret e diplomacisë ndërkombëtare, por është një vend që flet dhe propozon. Nga një vend që shihej si problem, sot jemi një vend që kërkohet si partner në çdo tryezë; kjo është diferenca mes asaj ku ishim dhe ku jemi”, tha Spiropali.
Duke folur për diplomacinë shqiptare, Spiropali vlerësoi kontributin e diplomatëve, por pranoi se sistemi mban ende reflektime të së shkuarës dhe hezitime ndaj kuadrove të rinj. Sipas saj, projektligji i ri synon të krijojë një shërbim të jashtëm më profesional, transparent dhe të përgjegjshëm.
“Diplomacia shqiptare ka diplomatë të shkëlqyer, por mban ende reflektime të së shkuarës, nepotizmin, hezitim ndaj kuadrove të rinj, dhe ky projektligj nuk është një dokument teknik, por një hap politik dhe institucional për ta përshtatur politikën e jashtme me kohën që jetojmë. Diplomati shqiptar duhet të jetë profesionist dhe i përgjegjshëm për peshën e tij. Kemi pasur raste kur përfaqësues të shtetit shqiptar nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Një shtet që nuk mbron figurat e tij dhe një shërbim i jashtëm që nuk është i ndërgjegjshëm për peshën e misionit të tij, nuk mbron dot as veten”, tha ajo./rtsh
Presidentes Osmani i vijnë dy urime të veçanta nga Katari
Mbreti Charles flet hapur pas arrestimit të vëllait të tij p...
Politico: ShBA po e shqyrton zvogëlimin e pjesëtarëve të KFO...
E trishtë: Sot i jepet lamtumira e fundit 31-vjeçarit që vdi...
Aksioni te Apeli, vendoset mbishkrimi “Gjykata e Apelit shfa...
Spiropali kërkon lirimin e ish-krerëve të UÇK-së: Shqipëria,...