Spiropali: Objektiv strategjik, mbyllja e procesit teknik të negociatave për anëtarësimin në BE brenda vitit 2027

15:00 | 31 Janar 2026
E.K

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka deklaruar se objektivi i qeverisë është mbyllja e procesit teknik të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2027. Në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të zhvilluar në Vlorë, Spiropali nënvizoi se gjatë muajve të fundit është punuar intensivisht për kapitujt themelorë dhe se pak ditë më parë në Parlament u miratua paketa e fundit legjislative.

“Në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025, falë një vizioni të qartë, kemi hapur sëbashku me Komisionin Europian dhe vendet anëtare 33 kapitujt e negocimit. Gjatë muajve të fundit kemi punuar me gulm për të arritur piketat e ndërmjetme për themeloret. Pak ditë më parë në Parlament u miratua paketa e fundit legjislative, duke i dhënë procesit seriozitetin që meriton për avancimin sa më parë të fazës vijuese, atë të fillimit të mbylljes së kapitujve. 2026 është vit vendimtar për objektivin tonë strategjik për mbylljen e procesit teknik të negociatave brenda vitit 2027. Këto janë një sinjal politik. Shqipëria ka ndërtuar kapacitetin për të ecur me ritmin e BE”, tha Spiropali.

Ajo shtoi se Shqipëria sot është një vend lider në rajon dhe i respektuar në botë, falë vizionit politik, reformave të vështira dhe linjës së qartë me politikën e jashtme dhe sigurinë e Europës.

“Reformat që kemi ndërmarrë nuk janë të lehta. Integrimi nuk është vetëm aspiratë, por proces i mbështetur në kapacitet real shtetëror dhe shoqëror. Sot Shqipëria është një vend lider në rajon, një vend i respektuar në botë. Ky transformim nuk është rastësi, por rezultat i vizionit të Edi Ramës,. Zgjedhjeve politike dhe reformave të vështira. Ne jemi të linjëzuar me politikën e jashtme dhe sigurinë e Europës. Nga mandati ynë në Këshillin e Sigurimit në OKB, te angazhimi ynë në NATO, Shqipëria ka treguar se nuk është vetëm përfituese e stabilitetit dhe sigurisë, por edhe prodhuese e tij. Kjo është mënyra jonë për të qenë europianë, përpara se të jemi zyrtarisht anëtar”, theksoi Ministrja./rtsh