Spiropali dhe Tajani do të firmosin memorandum për sigurinë kibernetike

10:26 | 13 Nëntor 2025
E.G

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të marrë pjesë sot në Samitin e parë Ndërqeveritar Shqipëri–Itali, ku delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Edi Rama.

Ministria për Evropën dhe Punëve të Jashtme njofton se, gjatë ditës së sotme Spiropali do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani.

Ky samit ndërqeveritar përfaqëson një moment të rëndësishëm për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, shëndetësia, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe për përgatitjen e projekteve të përbashkëta për avancimin e partneritetit strategjik Shqipëri–Itali.

Ministrja Spiropali do të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh përballë sfidave globale të sigurisë dhe do të rikonfirmojë përkushtimin e Shqipërisë për të avancuar bashkëpunimin me Italinë në fushat prioritare të partneritetit strategjik.

Gjatë takimit të sotëm, Ministrja Spiropali do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit mbi Bashkëpunimin në Sigurinë Kibernetike me homologun Antonio Tajani.

Mbledhja e parë mes qeverive të dy vendeve do të drejtohet nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama. Kjo është konfirmuar nga qeveria italiane përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare ku thuhet se samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri do të mbahet sot, në orën 11:30.

Gjatë samitit pritet të ketë dhe takime dypalëshe të ministrave me homologët e tyre. Marrëveshjet pritet të shtrihen në fushën e sigurisë, emigracionit, shëndetësia, energjia, turizmi, ekonomia e tjerë.