Shqipëria sot do t’i japë lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano

07:14 | 2 Nëntor 2025
E.H

Shqipëria do t’i japë lamtumirën e fundit ish-kryeministrit Fatos Nano sot përmes një ceremonie shtetërore.

Këshilli i Ministrave ka shpallur Zi Kombëtare të dielën në nder të figurës së tij, ndërsa flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmë shtizë.

Në orën 12:00, të gjitha veprimtaritë do të ndërpriten për të mbajtur një minutë heshtje në mbarë vendin.

Homazhet publike do të zhvillohen tek Pallati i Kongreseve nga ora 08:30 deri në 11:00, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të japin lamtumirën e fundit.

Pas tyre, do të zhvillohen homazhet shtetërore.

Në këtë ceremoni, një pjesëtar i familjes së Nanos do të mbajë fjalimin e tij, ndërsa pritet që edhe kryeministri Edi Rama, pasuesi i Fatos Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste, të marrë fjalën, duke përkujtuar kontributin e madh të ish-kryeministrit në jetën politike dhe publike të vendit.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe personalitete politike nga Kosova.

Për organizimin e ngjarjes është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë, që të garantojë rregull dhe respekt gjatë gjithë zhvillimit të homazheve dhe ceremonisë funebre.

Në përfundim, trupi i Fatos Nanos do të niset nga Pallati i Kongreseve drejt banesës së fundit në Sharrë, ku familja ka kërkuar që ceremonia ortodokse të kryhet në privatësi.

Ish-kryeministri do të mbahet mend si një figurë historike e të majtës dhe një prej liderëve më të rëndësishëm të periudhës së tranzicionit shqiptar./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale