Samiti i javës së ardhshme në Hagë pritet ta konfirmojë Shqipërinë si mikpritëse të samitit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, NATO, në vitin 2027.
Drafti i deklaratës së samitit të sivjetshëm të NATO-s, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, konfirmon se Shqipëria do të jetë nikoqire më 2027.
Samiti i sivjetshëm i NATO-s mbahet në Hagë të Holandës javën e ardhshme, ndërsa ai i vitit 2026 do të mbahet në Turqi.
Në fund të draftit të deklaratës thuhet: “Ne shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen e xhymert nga Mbretëria e Holandës. Mezi presim takimin tonë të ardhshëm në Turqi më 2026, i cili do të pasohet nga një takim në Shqipëri”.
Sipas draftit të deklaratës, udhëheqësit e NATO-s riafirmojnë angazhimin për mbrojtje kolektive sipas Nenit 5 dhe vendosmërinë për të mbrojtur qytetarët dhe demokracinë. Ata zotohen për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje në të paktën 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2032 – 3.5 për qind për kapacitetet ushtarake dhe 1.5 për qind për infrastrukturën kritike, inovacionin dhe industrinë e mbrojtjes.
Mbështetja për Ukrainën mbetet e fortë dhe do të përfshihet në llogaritjet e shpenzimeve të mbrojtjes. Aleanca angazhohet gjithashtu të forcojë industrinë e përbashkët të mbrojtjes, të heqë barrierat tregtare dhe të promovojë bashkëpunimin teknologjik mes aleatëve, sipas draftit të deklaratës.
Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ishte mikpritëse e një takimi të rëndësishëm këtë vit, pasi mblodhi liderët e mëdhenj evropianë për samitin e Komunitetit Politik Evropian në maj.
Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009 dhe kjo do të jetë hera e parë që ajo mirëpret samitin e saj.
NATO-ja e ka një bazë ajrore në Shqipëri, përkatësisht në Kuçovë, të vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ajo u përurua në mars 2024, pasi NATO-ja investoi afërsisht 50 milionë euro në të, ndërsa Qeveria shqiptare shpenzoi më shumë se 5 milionë euro.
Shqipëria është në bisedime me NATO-n edhe për ndërtimin e një baze detare në Porto Romano në bregdetin e Adriatikut./rel
ZRRE bën thirrje për kursim të energjisë
BQK: Asetet e bankave në Kosovë arritën në 9.22 miliardë eur...
Dasma në Gazë që u kthye në tragjedi
KQZ-ja mban mbledhje, ky është rendi i ditës
Incident i pazakontë: Shqiponja rrëmben një dron në fluturim...
LDK mban sot tubimin përmbyllës të fushatës në Pallatin e Ri...