Saga e vrasjeve në Elbasan: Viktimës së fundit i vranë vëllanë në Barcelonë, kushëririn në Bruksel

01:38 | 12 Maj 2021

Vrasja e 41-vjeçarit Everest Çaka apo i njohur edhe si Ibrahim Çaka ka hapur edhe një herë historinë e përgjakshme të ekzekutimeve në Elbasan.

Viktimës i kanë vrarë vite më parë një vëlla në Barcelonë ndërsa ai është djali i tezes së Arjan Spahiut i ekzekutuar në 28 nëntor të vitit të kaluar në lagjen Molembeek të Brukselit në Belgjikë.

38-vjeçari Spahiu u qëllua me armë sapo doli nga një lokal nën shoqërinë e mikut të tij, Florian Narazani. Spahiu ka qenë i akuzuar 11 vjet më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës.

Alikaj dyshohet se ka vrarë 13 vite më parë një të afërm të Arjan Spahiut. Gjithçka mendohet se është pasojë e luftës mbi kontrollin e territorit për trafikimin e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në disa qytete europiane.

Arjan (Ardit) Spahiu ka lidhje familjare (kunati) me Erion Alibejn, i cili ndodhet pas hekurave për organizimin e disa vrasjeve. Për momentin Alibej është në burg dhe akuzohet se ka organizuar vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt, që u vra 3 vite më parë në Bradashesh së bashku me xhaxhain e tij, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk Erdal Duranay. Endrit Alibej ishte arrestuar me herët në Itali gjatë një operacioni antidroge, asokohe ishte 29 vjeç.

Endriti mësohet se kishte ndryshuar mbiemrin e tij për shkak të precedentëve të mëparshëm penalë. Dyshohet se vrasja e trefishtë ka ndodhur për pazare droge kryesisht në Holandë dhe Angli ku edhe qëndronin viktimat prej më shumë se 5 vitesh./lapsi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara