“Jo vetëm Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së bashku me Drejtorinë e saj të Përgjithshme të Turizmit e parashikon se do të shkojë më mirë krahasuar me vitet e shkuara, por edhe informacionet që vijnë nga Agjencia Kombëtare e Turizmit apo informacione të tjera që na vijnë nga parashikimet e “World Travel and Tourism Centre”, WTTC përfshi edhe statistikat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë se parashikimet për këtë vit do të jenë për më shumë turistë. Në fakt nga viti në vit numri turistëve në Shqipëri ka ardhur duke u rritur, duke filluar nga viti 2013-të kur numri turistëve arriti në 2.9 milionë turistë, në 2014-ën 3.6 milionë ndërsa për 2015-ën të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë që kishim 4.1 milionë turistë”, ka thënë ministria Milva Ekonomi në një intervistë për Tema-Online. “Numri më i lartë i turistëve vijnë nga Kosova dhe Maqedonia, por ka një prezencë në rritje nga Greqia, Italia dhe Gjermania. Në vitin 2015 u shënua rritje edhe nga turistët amerikanë. Të dhënat na tregojnë se një turist qëndron mesatarisht 2.75 ditë në vend. Ndërkohë të gjitha përpjekjet e operatorëve turistike synojnë të shtojnë kohën e qëndrimit të turizmit në Shqipëri”, ka thënë më tej, teksa ka shtuar se ky shtim qëndrimi do të përkthehet në sasi më të mëdha parash të shpenzuara.
“Që kjo të arrihet do të organizohen aktivitete të ndryshme në të gjithë vendin tonë. Pra i gjithë sezoni turistik do të jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme në zonat bregdetare përgjatë plazheve, zonat tona të trashëgimisë kulturore, atyre të traditës dhe iniciativave që kanë të bëjnë me turizmin rural, ose aktivitete që lidhen me “Slow Food” pa harruar edhe turizmin e aventurës dhe turizmin e errët. Sipas të dhënave të WTTC pritet që kontributi direkt në PBB nga industria e turizmit të rritet nga 6% në 2015-ën në 6,3% në 2016-ën. Kjo rritje do të sjellë 5,500 vende të reja pune”.
Ekonomi ka kujtuar edhe atë që qeveria në mes të vitit 2014-të ndërmori Reformën Territoriale, ku u rikompozuan bashkitë e vjetra në 61 njësi vendore.
“Me krijimin e njësive të reja vendore u bë edhe një ndarje e re e territorit të plazheve. Gjithashtu në korrik të vitit 2015 qeveria miratoi edhe ligjin për turizmin. Me këto dy akte kërkohet edhe një rregullim më i mirë i territorit dhe stacioneve të plazhit. Territori i plazhit do të menaxhohet nga njësitë vendore dhe brenda tyre do të ngrihen stacionet e plazhit sipas disa standardeve të përcaktuara në këtë rregullore, siç janë ruajtja e kushteve higjienike, sigurisë, pastërtisë dhe mbrojtjen nga ndotja”, ka thënë Ekonomi. “Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se në të gjithë vijën bregdetare nga Velipoja deri në Sarandë do të ketë hapësira të dedikuara ku ata do të mund të pushojnë tërësisht falas si më parë. Në fakt vendimi i fundit i qeverisë në datë 18.05.2016 e jep qartësisht definicionin që plazhi është pronë ekskluzive e shtetit dhe e hapur për përdorim të lirë publik. Ky vendim përcakton vetëm kushtet e veprimtarisë të “stacionit të plazhit” si dhe kontratë e përdorimit që lidh njësia vendore me privatin dhe jo rregullimin e plazhit publik”.
Ekonomi ka thënë se hapësirat e plazheve publike i garantohen qytetarëve përmes një vendimi të mëparshëm të qeverisë datë 28.05.2014 “Për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dha gjatë ushtrimit të sporteve ujore” e përcakton shumë qartë hapësirën e asaj që ne e quajmë “plazh publik” . Në këtë vendim thuhet shprehimisht: “Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimin e territorit të plazhit duhet të lërë në dispozicion për “plazh publik” jo më pak se 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit.
Së bashku me grupet e punës do të jem në terren për të parë respektimin e kësaj hapësire prej 20% për “plazhet publike”.
Dallaveret me vota, Kryeprokurori i Gjakovës del në konferen...
I shpëtohet jeta një 37-vjeçareje në Mitrovicë, pati gjakder...
Dy tifozë të Chelseat përfundojnë në spital në Napoli, klubi...
Nesër varroset fëmija që vdiq tragjikisht në lumin e Gadimes
Mbyllet për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit...
“E çojke vala djalin, ma dha Zoti fuqinë”, flet personi që e...