Rëndohen akuzat mbi Metën dhe Kryemadhin, SPAK: Dyshohet se shpenzuan 240 mijë USD nga karta e një biznesmeni për veshje dhe hotele

13:56 | 1 Korrik 2025
E.H

SPAK ka përpiluar raportin dymujor të hetimeve, duke ngritur dyshimet për një tjetër episod korrupsioni të kryer nga dy ish-bashkëshortët, Ilir Meta e Monika Kryemadhi nëpërmjet një karte bankare ku shpenzimet kapin vlerën e 240 mijë dollarëve. Sipas Prokurorisë së Posaçme, karta bankare ishte vendosur në dispozicion të tyre nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku.

Me anë të kësaj karte, dyshohet se për periudhën dhjetor 2014–nëntor 2017, Monika Kryemadhi ka shpenzuar shumën e sipërpërmendur për blerje në dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, Nju-York dhe Las Vegas, si dhe bileta avioni për udhëtimet.

“Shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi me kartën American Expres Centurion me numër XXXX XXXXXS-31017, për periudhën Dhjetor 2014- Nëntor 2017 kapin vlerën 234,677.83 USD. Sipas përshkrimit të llojit të shërbimit, pagesat e kryera nga Monika Kryemadhi janë kryesisht për blerje ne dyqanet e veshjeve në Londër, Vjenë, Las Vegas, Beverly Hills; pagesa të qëndrimit në hotel në Londër, Nju-Jork dhe Las Vegas si dhe bileta avioni për udhëtimet”, thuhet në raportin e SPAK.

Ish-presidenti Meta më herët ka mohuar të ketë lidhje me këtë kartë bankare, duke u distancuar nga veprimet e ish-bashkëshortes.

SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Ish-çifti Meta-Kryemadhi, që u divorcuan pak kohë më parë, janë hetuar për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim e fshehje pasurie.

Kujtojmë se SPAK e akuzon Metën për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Sipas SPAK, janë dokumentuar disa episode ku Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në bashkëpunim mes tyre dhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.

SPAK shpjegon më tej se akuzat nisin që me atë të CEZ-DIA deri te ndikimi nga ana e Monika Kryemadhit te drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike, si dhe lidhjen e një marrëveshjeje interkonjeksioni me një kompani telefonike celulare./rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme