Rama porosi kryetarëve të bashkive: Më shumë punë për pastrimin në prag të sezonit veror

17:18 | 3 Prill 2026
Q L

Pushteti lokal me sytë nga problemet e qytetarëve. Kryeministri Edi Rama mblodhi 55 kryebashkiakët socialistë në Tiranë për t’i dhënë porositë kryesore në prag të sezonit turistik.

Prioritet për kryeministrin janë menaxhimi i mbetjeve dhe përpunimi i tyre, për të cilën dha garanci se qeveria po punon intensivisht.

“Po punojmë për të riparë sistemin e mbledhjes së mbeturinave, gjë që e kemi bërë me dije sa i përket aspektit të përpunimit të mbetjeve, por flas për mbeturinat që përgjithësisht janë problem, sidomos në sezonin turistik, në hapësirat e bashkive që s’janë zona urbane. Për këtë, është e domosdoshme të ngrihet një task-forcë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, për të hartuar një plan afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë, nga sensibilizimi masiv te hapat që duhen ndërmarrë.”

Kurse sa për pastrimin, u kërkoi kryebashkiakëve në bashkëpunim me agjencitë kompetente të merren intensivisht. Qeveria do t’u sigurojë flotë automjetesh.
“Një flotë e re automjetesh që ndihmon me pastrimin e kanaleve dhe punën e domosdoshme parapërgatitore për sezonet e mëtejshme.”

Në prag të verës, që Shqipërinë e vendos përballë sfidave me zjarret, kryeministri kërkoi ngritjen e emergjencave civile në nivel vendor, duke filluar nga zjarrfikëset.

“Ngritja e nivelit të emergjencave civile në rrafshin vendor. Jemi të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara në logjistikën që lidhet me zjarrfikësit. Për këtë arsye kemi miratuar një projekt të paraqitur nga ministri i pushtetit vendor lidhur me mobilizimin e një financimi të nevojshëm, duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuar rishtaz në sistemin tonë të Ministrisë së Mbrojtjes. Do nisim të vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme.”

Një tjetër detyrë që Rama ua rikujtoi kryebashkiakëve në mbledhje ishin legalizimet. U kërkoi të çojnë përpara këtë proces në bashkëpunim me kadastrat. Pa përmendur emra, nga disa bashki u shfaq shumë i pakënaqur.
“Duhet patjetër që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për kadastrën. Ka shumë ankesa për kadastrën, por shumë prej tyre vijnë nga moskryerja e aplikimit në mënyrë të rregullt ligjore. Jam këtu, por s’dua të përmend me emra, disa bashki s’merren fare me këtë punë.”

Me sytë nga zgjedhjet e ardhshme elektorale, kryeministri Rama u kërkoi kryebashkiakëve të zbresin në terren e të angazhohen në turin “Punët për Shqipërinë”, të takojnë qytetarët, të dëgjojnë problemet e tyre ashtu si drejtuesit politikë, ministrat e deputetët, por krahas këtyre, të bëjnë inventarin e punëve të papërfunduara ose atyre që duhen kryer.

Për kryebashkiakët, të cilët s’kanë më të drejtë rikandidimi pasi përfundojnë afatin e 3 mandateve, Rama u kërkoi të mos neglizhojnë, por të angazhohen edhe ata.

Dhe në fund, paketa e maleve. Pasi u vendosi kusht për rikandidimin, 5-15 investime për çdo bashki në kuadër të kësaj pakete, Rama foli për një interes të lartë nga qytetarët, ndërsa shtoi se deri më tani vetëm 1 bashki e ka arritur objektivin.

“Paketa e Maleve ka pasur progres. Disa bashki kanë bërë progres me procedurat dhe kanë përcaktuar objektivin bazë të 10 projekteve për të nënshkruar dhe vijuar me procesin e marrjes së lejes. Në njërën nga bashkitë janë 5 milionë euro të llogaritura nga 10 investimet e llogaritura në Paketën e Maleve nga persona që janë në emigracion.”

Edhe pse ky ishte një takim partiak mes kryeministrit dhe 55 kryebashkiakëve socialistë, nuk munguan nuancat blu.

Një kryebashkiak demokrat i Pukës, Rrok Dodaj, kishte ardhur të merrte pjesë në takim.

Ai nuk u lejua, pasi PS sqaroi se ka pasur një lapsus në njoftimin e tij. Megjithatë, demokrati mbeti shumë i zhgënjyer që nuk mori dot pjesë në takimin e Ramës me socialistët./Abcnews

Shpërndaje në rrjete sociale