Rama për protestën e sotme: Ç’shëmti e trishtueshme

15:12 | 8 Dhjetor 2015
M. A.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka reaguar për protestën e ditës së sotme të opozitës, të cilën e ka quajtur shëmti e trishtueshme.

Në postimin e tij thuhet:

Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabel, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham.

Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me ketë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë.

Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit europian të shqiptare, një PD të katandisur në hije e vetvetes, që shpresën e vdekur përpiqet ta ringjallë me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitojë me gurë e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin europian të shqiptarëve kujton se e mishëron duke shkatërruar dy instalacione të artit urban – me të njëjtën egërsi primitive qe do t’i digjte e shkatërronte në fakt dhe fatkeqësisht edhe regjimi komunist.

Keqardhje e sinqertë për të verbërit e shkretë që s’dinë se ç’bëjnë me gurë e hekurishte nëpër duar.

Neveri për politikën e ngjirur të një Partie Demokratike në shthurje të vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternative qeverisëse dhe, fatkeqësisht, edhe pa asnjë lidhje me kohën europiane të Shqipërisë e as me ëndrrat, shpresat, problemet e hallet e sotme të shqiptarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale