Rama ndan fotoalbumin e javës: Nga vizita në Jordani tek ekonomia dhe punësimi i të rinjve

20:08 | 14 Dhjetor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot fotoalbumin me momentet kryesore të aktiviteteve të tij gjatë javës.

Në fillim të kësaj jave Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Aman (Jordani), ku u prit me një ceremoni të veçantë nga mbreti Abdullah II bin Al-Hussein. Ai e vlerësoi mbretin Abdullah II bin Al-Hussein, si një monark të respektuar ndërkombëtarisht dhe një mik të çmuar të Shqipërisë.

Ky takim konfirmon partneritetin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Jordanisë, bashkëpunimin në nivel rajonal dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike.

Gjatë javës, Rama mori pjesë në “Tirana Economic Forum”, ku theksoi se “Shqipëria po kthehet në një korridor zhvillimi nga veriu në jug”. “Po ngrihen aeroporte dhe porte të reja, parqet energjetike po zgjerohen, zonat turistike dhe zonat industriale po marrin formë”, nënvizoi Rama. Sipas Kreut të Qeverisë, Shqipëria ka një rritje që nuk vjen prej sloganeve, por prej reformave.

Në vijim të agjendës së aktiviteteve mes java shënoi përkujtimin e 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut. Rama mori pjesë në mbrëmjen solemne e organizuar me këtë rast në Pallatin e Kongreseve, në nderim të vlerave tona kombëtare, dhe në vlerësim të njerëzve që frymëzojnë të tashmen dhe sendërtojnë të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi se medaljet mbajnë emrin e heroit tonë kombëtar, i cili ishte “pajtori i historisë sonë dhe shqiptari që hodhi farën e shtetit në tokën e lirisë”.

“Në çdo kthesë të historisë, kur shqiptarët janë mbledhur a janë gjendur bashkë, për të vendosur një gur të ri në rrugën e gjatë të përpjekjes kombëtare, apo për të ngritur një shtyllë të re të shtetësisë sonë të brishtë, ata i kanë kthyer sytë, me vetëdije apo pa vetëdije, nga figura që qëndron në zemër të qenies sonë si subjekt kombëtar e shtetëror: Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha Rama.

Në 100- vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut u nderuan 24 personalitete me kontribut në fusha të ndryshme.

Po këtë javë kryeministri ishte i pranishëm në aktivitetin “30 vjet Prokurime Publike – Shqipëria, lider rajonal në modernizimin e sistemeve të prokurimit”, ku theksoi se vendi ka kaluar një transformim rrënjësor, i cili, sipas tij, duhet të komunikohet më shumë në një mjedis të “helmuar nga politika””.

Rama tha se, Shqipëria është shndërruar në vend lider në rajon për modernizimin dhe integritetin e sistemit të prokurimeve publike, duke u renditur e para në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit të monitorimit të SIGMA-s.

Kryeministri deklaroi sot se 2200 të rinj po përfitojnë nga programi i Garancisë Rinore, ndërkohë që deri në fund të këtij mandati pritet të mbështeten rreth 60 mijë të rinj.

Garancia Rinore për të Rinjtë, një program kombëtar prej 63,5 milionë eurosh është miratuar si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, me qëllim mbështetjen e 60 mijë të rinjve në Shqipëri.

Shpërndaje në rrjete sociale