Rama me Ursula von der Leyen: Procesi i negociatave po ecën me shpejtësi, BE dhe KE po na mbështesin fuqimisht

11:41 | 13 Tetor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit “kokë më kokë”, deklaroi se diskutimet mes tyre kanë prekur të gjitha temat me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë që Komisioni Evropian i jep rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian.

“Me presidenten kemi pasur një bashkëbisedim që ka prekur gjithë temat e interesit të përbashkët. Natyrisht që, për ne mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që e vlerësojmë shumë, fakti që presidentja dhe komisioni aktual i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe i japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me Ballkanin Perëndimor.

Në këtë aspekt kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave me BE, një proces që në këndvështrimin tonë dhe sa u dëgjova nga presidentja, është duke ecur me shumë mbarësi dhe shpejtësi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se procesi i negociatave me BE-në po ecën me mbarësi dhe shpejtësi, duke u mbështetur edhe në vlerësimet pozitive nga Presidentja e KE-së. Ai foli gjithashtu për planin e ri të rritjes që Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili synon të mbështesë më tej reformat e nevojshme për integrimin.

“Folëm për planin e ri të rritjes që BE, KE ka vënë në dispozicion BP duke i dhënë mundësi çdo vendi, të financohet nga BE në mbështetje të thellimit të mëtejshëm të reformave.

Edhe në këtë pikë morëm një vlerësim shumë pozitiv dhe do vazhdojmë të kryejmë me përpikëri dhe këmbëngulje detyrat që kemi marrë përsipër” nënvizoi Rama.

Gjatë konferencës, u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit dhe sigurisë në rajon, duke pasur parasysh rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor në zemër të Evropës.

Rama theksoi edhe një herë mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në luftën kundër agresionit rus. Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për proceset reformuese në Shqipëri, duke shtuar se pa këtë bashkëpunim, përparimi në negociatat për anëtarësim nuk do të ishte i mundur./rtsh.al

Të ngjashme