Rama: Ishim një vend i zhytur në borxhe dhe kriminalitet

17:27 | 9 Prill 2025
Q L

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komenteve të ndjekësve në rubrikën “Sy më Sy” në “Facebook”. Rama është ndalur tek një sërë çështjesh të rëndësishme, si reforma në drejtësi apo edhe procesi i integrimit europian.

Kryeministri nënvizoi se pasaporta europiane është i rëndësishme për çdo familje shqiptare. Më tej u ndal edhe tek projektet me rëndësi për vendin. Rama përmendi edhe stadiumin e Vlorës duke nënvizuar se është detajuar projekti që doli fitues nga konkursi.

Pjesë nga bashkëbisedimi në Facebook:

Kryeministri Edi Rama: Tani ty, Eltoni jam i bindur që të duket vetja shumë i zgjuar kur bën këtë lloj komenti ofendues dhe gajasesh, por mua, sinqerisht, sa më shumë kalojnë vitet, aq më pak i zgjuar më duket vetja. Kështu që, nuk po të them çfarë mendoj unë për komentin tënd dhe për hyrjen e Shqipërisë në BE, por po të pyes ty, po BE-në do ta kishte zili vallë Nastradini sipas teje, meqë do të na fusë në gjirin e saj sa më parë? E ke dëgjuar ti BE-në kur thotë, duam të mbyllim negociatat me Shqipërinë brenda 2027-s? Apo dhe kjo të bën për të qeshur ty meqë sipas teje ne s’kemi drita. Faleminderit gjithsesi për atë gjigandin, se një të vërtetë të vogël e ka edhe kjo, jo thjeshtë ngaqë unë jam i gjatë, po ngaqë e kam kaq të madh durimin, sa merrem edhe me komente si të tuat, duke mos harruar se sado i zhytur të jetë në kënetë dikush që bën këto komente, është detyra ime ta respektoj si qytetar i këtij vendi gjithsesi.

Koment: Po boll se keni 12 vjet në pushtet akoma premtoni njësoj si bufi.

Kryeministri Edi Rama: Jo, Vladimir, unë nuk kam 12 vjet që premtoj, po kam 11 vjet e 6 muaj që bëj ato që them dhe them ato që bëj. Se po të isha si bufi, edhe Shqipëria do ishte si e bufit, një vend që s’e merrte askush seriozisht, një vend i zhytur në borxhe dhe në kriminalitet, me mbi 100 e kusur vrasje në vit, me qytete të rrënuara nga harresa, me një turizëm që mbahej gjallë vetëm nga patriotizmi shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Po sot? Sot vetëm kush nuk do të shohë, nuk sheh dhe s’ka më të verbër se ai që i ka sytë, por refuzon të shikojë. Apo më shurdh se ai që i ka veshët, por nuk do e nuk do që të dëgjojnë.

Koment: Ai projekti i stadiumit në Vlorë, projekti Marina Vlora apo Marina Durrës kanë dal shumë bukur.

Kryeministri Edi Rama: E kuptoj ironinë tënde, por duke qenë se punët e mëdha nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, siç bëhen komentet e kota duhet të bësh edhe ca durim dreqi e mori se Marina Vlorë dhe Marina Durrës janë të dyja në kantier.

Po deshe, mund edhe të shkosh t’i shohësh vetë dhe të kuptosh se çfarë pune kolosale është bërë, e po vazhdon të bëhet në dy hapësira rrënojash e qymyresh deri dje. Ndërsa për stadiumin e Vlorës është detajuar projekti që doli fitues nga konkursi dhe do të shpallet dhe mos është shpallur gara për partnerin privat që do të marrë përsipër ndërtimin me të njëjtën formulë si për stadiumin tonë kombëtar. Kështu që i dashur Adi, unë them atë që bëj dhe bëj atë që them dhe nëse në ndonjë rast, edhe vonoj, kjo jo për shkakun tim, se nuk i lë kurrë mangët diçka punës, por ji i sigurt gjithsesi se vonoj, po nuk harroj asnjëherë.