Rama dhe Velia prezantojnë projektligjin për zejtarinë

16:50 | 28 Prill 2015
M. A.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj kanë prezantuar Projektligjin për zejtarinë.

Sipas kryeministrit Rama, ky projektligj është një mënyrë për t’i shpallur luftë varfërisë, kurse arsimi profesional është një kthesë e mirë për të ulur papunësinë, pasi u jep mundësi të mira të rinjve.

“Zejet dhe zanatet janë armët që të rinjtë do kenë nesër në dorë për tregun e punës,” tha Rama,

Ai informoi se projekti për zejtarinë mbështetet nga një kompani e famshme gjermane e cila u jep mundësi të rinjve që të marrin përvojë.

“Zejet dhe zanatet do të jenë një nga armët që do të kenë në dorë të rejat e të rinjtë e sotëm shqiptarë, nesër në tregun e lirë të punës në BE. Sot, ne jemi këtu për të folur për një projekt që është fryt i bashkëpunimit përsëri me një dhomë, me një dhomë të tregtisë së Gjermanisë, një projekt për zejtarinë,” tha Rama.

Kryeministri shqiptar shprehu edhe një herë bindjen se “gjithë plaga e thellë e papunësisë e gangrenizuar për 20 vjet, mund të lehtësohet përmes zanateve dhe forcave te kualifikuara të punës”.

“Kjo është arsyeja që shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi janë më shumë të integruar seç ishin shumë vite me parë, sepse sot janë njerëz që kanë zanate”, tha Rama.

“Jemi duke krijuar një sinergji mes nevojës për punë dhe mundësive për punë, një sinergji që e bazojmë fort tek lufta me varfërinë e aspiratave. Ne kemi bindjen se gjithë plaga e thellë e papunësisë, e cila është hapur, thelluar, infektuar dhe gangrenizuar 20 vjet me radhë, mund të luftohet dhe mund të lehtësohet në mënyrë të vazhdueshme përmes rritjes së dijeve dhe forcave të kualifikuara të punës,” tha Rama.

Ministri Veliaj, tha se politika e ndjekur nga qeveria gjatë këtyre 18 muajve ka qenë që t’u japë të rinjve një zanat të certifikuar, i cili do jetë nesër një garanci më shumë për një punë.

Fokusi i projektligjit është rregullimi i ushtrimit të veprimtarisë zejtare, aftësimit dhe kualifikimit profesional në këtë fushë, si dhe organizimi i subjekteve zejtare nëpërmjet krijimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

Gjatë prezantimit të e këtij projektligji të ri, Rama ka prekur edhe temën e zgjedhjeve vendore, ku ka vlerësuar  kandidatin socialist për Bashkinë e Tiranës Erion Veliajn, të cilin e ka cilësuar si ministrin më të mirë të Qeverisë që do të rikthejë kryeqytetin në drejtimin e duhur pas zgjedhjeve të 21 qershorit./Arbesh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme