Ndonëse janë dy parti oponente, kjo nuk i ka penguar Partinë Socialiste dhe Frymën e Re Demokratike të diskutojnë për të dalë bashkë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.
Sot paradite kreu i Qeverisë, dhe njëherësh lideri i së majtës shqiptare, Edi Rama, është takuar me kreun e Partisë Fryma e Re Demokratike, ish-presidentin Bamir Topi.
Duket se Topi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Ramës për të qenë bashkë në koalicion për zgjedhjet e qershorit, edhe pse marrëveshja nuk është bërë ende zyrtare.
Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë larg vëmendjes së medias, Rama ashtu edhe Topi deklaruan se biseda ka qenë më shumë e fokusuar tek parimet dhe, duke qenë se bëhet fjalë për zgjedhjet vendore, ka hapësira për bashkëpunim dhe një koalicion të gjerë.
Kryeministri tha se në takim nuk është arritur të shmanget kundërvendosja në rrafshin e politikës, por janë identifikuar pika të përbashkëta dhe shqetësime të përbashkëta.
“Jo, nuk kemi arritur një marrëveshje, kemi pasur një bisedë paraprake, konstruktive. Ky është një rast specifik pasi bëhet fjalë për një parti të pozicionuar qartazi jo vetëm në spektrin e djathtë por edhe në një pozicion opozitar. Sidoqoftë ne besojmë se ka hapësirë pasi këtu bëhet fjalë për zgjedhje vendore. Në konkluzion do të thosha që sidoqoftë ka qenë një bisedë e hapur, një bisedë e drejtpërdrejtë; nuk kemi mundur të shmangemi nga kundërvendosja që normalisht kemi në rrafshin e politikës së ditës, por kemi mundur të identifikojmë pika të përbashkëta dhe shqetësime të përbashkëta.”, tha Rama.
Ndërsa Bamir Topi tha se forca që ai drejton mbetet në spektrin e djathtë por, duke u nisur nga shqetësimet e shumta sociale e urbanistike që ekzistojnë në Tiranë dhe në shumë vende të tjera, FRD-ja nuk ka pse të mos jetë pjesë e një koalicioni me bazë të gjerë.
“Fryma e Re Demokratike ju përgjigj ftesës së z.Rama për të bërë negociata në funksion të zgjedhjeve të pushtetit vendor, dua ta them pa asnjë lloj hezitimi që FRD është një parti e qendrës së djathtë, që do të thotë që në politikën shqiptare mbetet në këtë spektër, e vendosur mbi bazën e parimeve shumë të qarta, që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit, të institucioneve, dhe problemeve madhore që ka vendi. Gjërat që janë realizuar mirë nga qeveria ne i kemi përshëndetur dhe gjërat që nuk kanë shkuar mirë i kemi kritikuar.”, tha Topi.
Megjithatë edhe pas këtij takimi marrëveshja mes dy partive nuk u mbyll sot dhe negociatat mes PS-së dhe FRD-së do të vijojnë në ditët e ardhshme./arbresh.info/
Dy persona dënohen me burg, pas shantazhit ndaj Heung-min So...
Rrëfehet ambasadori Christopher Hill: Pse vendosa të dëshmoj...
Dolce rikthehet në “Big Brother VIP Kosova” pas 10 ditësh në...
Man United me fitore të jashtëzakonshme ndaj Wolvesit
Trafiku Urban kompenson ditët e humbura të grevës
BE-ja gjobiti platformën X me 120 milionë euro, reagon Trump...