Rama dhe Basha përplasen keq për “Shtëpinë e verdhë” dhe pandeminë

00:52 | 9 Nëntor 2020

Këtë të diel ka pasur një seri replikash mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Debatin në Twitter e filloi kreu i qeverisë duke provokuar përplasjen me akuza se Basha është i përfshirë në hartimin e dosjes kundër ish-ushtarëve të UÇK-së.

Sipas Ramës, Basha ka qenë i përfshirë në atë që quhet “Dosja e Shtëpisë së verdhë” ku sipas raportit të Dick Marty aty kryheshin transplanto organesh nga UÇK. Në krahun tjetër Basha thotë se kështu Rama është bërë zëdhënës i Beogradit dhe me këto akuza po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga dështimi me situatën e pandemisë.

REPLIKAT

Rama: Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?

Basha: Edi Rama leri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin.

Rama: Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë!E thuaje cfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty!

Basha: Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë.

Rama: Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulëzim, thuaje të vërtetën!

Basha: Çfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas- gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune-gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat – gënjeve. Premtove se do ulësh çmimin e energjisë – gënjeve. Po vjen dita të largohesh gënjeshtar. Është koha për një të ardhme të re për Shqipërinë!

Rama: Fakti që nuk ke gjunj të përballesh as me pyetjen, pse e votoi PD-LSI raportin e Dick Marty kur ne e votuam kundër(?), tregon se ti as ke qenë, as je, as bëhesh dot lideri i opozitës, po mbetesh kukulla e Saliut, Ilirit dhe Monikës!

Basha: Pse e ke shkatërruar ekonominë? Pse nuk ju jep ndihmë financiare të prekurve nga COVID? Pse e ke mbyllur derën e BE? Shqiptarët kanë nevojë për një kryeministër që punon për ta e jo një klloun të dështuar si Rama. Bashkë do ti fitojmë zgjedhjet & do shërojmë plagët e hapura nga ai!

Rama: Lulëzim! Sa më shumë i shmangesh sqarimit për lidhjen tende me shpifesirën e Dick Marty dhe rrekesh të fshihesh pas pllakës së gramafonit të prishur, aq më shumë pohon se je kujdestari i dosjes së Shtëpisë së Verdhë dhe përkthyesi i maskuar i shqiptarëve të marrë në pyetje!

Basha: Të gjithë e kuptojnë se ti gënjen e shpif vetëm për të larguar vëmendjen nga pyetjet që ju interesojnë vërtet qytetarëve: Pse qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID si rezultat i dështimit tënd? Pse spitalet janë mbushur plot dhe të sëmurët dergjen në ambulanca dhe korridore?

*Shënim: Ky shkrim vijon sepse me siguri do të ketë deklarata të tjera./lapsi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara