Rama: Brenda 2027-ës të mbyllim negociatat me BE-në

10:15 | 6 Mars 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu përgjigj sot komenteve në rubrikën “Sy m’sy’” edhe sa i takon votimit në zgjedhjet e 11 majit.

“Vota shkon atje ku e çon dhe ato përrallat me manipulime me përmbysje të vullnetit popullor janë përrallat e humbësve. E humbësve kronikë që kanë humbur dhe do të vazhdojnë të humbin sepse nuk duan të përballen me realitetin e humbësit”, u shpreh Rama.

“Kur ndodh që t’i humb prapë një palë zgjedhje dhe më ka ndodhur mua në 2009 edhe pse me më pak se 1% edhe pse zgjedhje me shumë dhunë dhe nxorëm mësime. Zgjedhjet e 2011 në Tiranë, me 10 vota na i morën, nxorëm mësime dhe ndërtuam makineri fitoreje që është e pathyeshme. PS është e pathyeshme sepse ne punojmë çdo ditë dhe nuk flas për qeverinë, flas për partinë socialiste. Ne pas zgjedhjeve fillojmë punët për zgjedhjet e tjera. Ti do të votosh aty ku dëshiron të votosh dhe do votosh për këdo”, theksoi Kryeministri.

Sipas Ramë për herë të parë kemi hyrë në procesin e materializmit të ëndrrës së madhe europiane.

“Për herë të parë ne kemi hyrë në procesin e materializmit të ëndrrës së madhe “e duam Shqipërinë si gjithë Europa “, për herë të parë na ndodh që të kemi një përputhje të rrethanave tona të brendshme dhe të kësaj ëndrre me rrethanat e brendshme të europës dhe me vullnetin e tyre për të na marrë brenda. Kur Europa ishte më e hapur ndaj zgjerimit ne nuk ishim kërkund dhe kur ne filluam të bëheshim më të pranueshëm ata humbën dëshirën për zgjerimin dhe në këtë moment janë përputhur gjërat”, u shpreh Rama.

“Ne kemi rënë dakord që t’i mbyllim negociatat në 2027, që i bie në më pak se 3 vite dhe kjo nuk i ka ndodhur asnjë vendi. Kroacisë i janë dashur 7 vite, Mali i Zi ka vite e vite që është në këtë proces dhe kjo për rastin tonë sepse ka ndodhur përputhshmëria, rritja e besueshmërisë tonë e respektit ndaj nesh falë punës që ne bëjmë me nevojën e tyre për të zgjeruar BE dhe për të dhënë mesazhin që po shkojmë drejt unifikimit europian”, deklaroi Kryeministri./atsh.al