Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u prit sot në një ceremoni zyrtare nga autoritetet më të larta të rajonit të Kalabrisë, ku ndodhet për të përmbushur fjalën e dhënë për të takuar komunat arbëreshe dhe nderuar emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke vendosur bustet e tij në sheshet e komunave ku ato mungojnë.
Por, për Begajn këto takime nuk janë vetëm për të ndërlidhur komunitetet arbëreshe me Shqipërinë (nën iniciativën e tij po binjakëzohen disa komuna arbëreshe me bashki shqiptare). Presidenti Begaj e sheh këtë vizitë si një perspektivë më të thellë, atë të forcimit të bashkëpunimit me komunat dhe rajonet iitaliane dhe, gjithashtu, për të zhvilluar ekonomitë e të dyja vendeve.
Kreu i Shtetit ftoi drejtuesit dhe investitorët italianë ta shohin Shqipërinë si një portë investimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria, u shpreh Presidenti Begaj, sikundër shumë prej jush e kanë prekur dhe e dinë, është një vend i orientuar nga paqja dhe harmonia me fqinjët, për një prosperitet të të gjithë rajonit.
“Ne i jemi falënderues Italisë për mikpritjen dhe integrimin e kahershëm të arbëreshëve dhe të shqiptarëve pas viteve ‘90, sikurse edhe për respektimin dhe jo asimilimin e tyre. Me italinë kemi marrëdhënie të partneritetit strategjik. Italia është partneri ynë me shkëmbimet tregtare më të mëdha e, mbi të gjitha, avokatia më e madhe për integrimin tonë në BE”, tha Begaj.
Në një prononcim për median italiane, i pyetur mbi rëndësinë e vizitës për lidhjet midis Shqipërisë dhe Kalabrisë, Begaj u shpreh: “Do ta korrigjoja pyetjen tuaj, se nuk është një lidhje e rëndësishme midis Kalabrisë dhe Shqipërisë, por është një lidhje mjaft e rëndësishme e Italisë me Shqipërinë. Lidhja midis Italisë dhe Shqipërisë është një lidhje, e cila bazohet mbi rrënjë të thella, mbi një partneritet strategjik. Jemi vende anëtare në NATO, kemi një avokate shumë të mirë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, siç është Italia, dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë ekonomik dhe tregtar. Nuk mund të lë pa përmendur bashkëpunimin në fushën e kulturës dhe në fushën e edukimit midis universiteteve të dy vendeve”- u shpreh Presidenti i Republikës./Arbresh.info
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...