Peleshi vizitë zyrtare në Irlandë, takohet me homologen Murphy: Mbështetje e fuqishme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

11:45 | 29 Prill 2026
E.K

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Irlandë, në kuadër të turit të diplomacisë parlamentare, me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit u prit në takim nga Kryetarja e Parlamentit irlandez, Verona Murphy, ku u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit parlamentar si një instrument kyç për forcimin e dialogut politik dhe afrimin mes dy vendeve.

Gjatë bisedës, Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian dhe integrimit të Shqipërisë, duke nënvizuar përparimin konkret të vendit në kuadër të reformave, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Duke venë në dukje rrënjët, vizionin dhe vlerat europiane të shqiptarëve, Kryetari Peleshi nënvizoi se anëtarësimi në BE gëzon një mbështetje shumë të gjerë popullore dhe një konsensus politik dhe parlamentar.

Gjatë takimit, u theksua rëndësia e rolit të Irlandës në kuadër të Presidencës së ardhshme të Këshillit të Bashkimit Europian, të cilën Irlanda do ta marrë në korrik 2026, si një moment kyç për avancimin e procesit të zgjerimit dhe mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Palët diskutuan gjithashtu mbi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si ekonomia, turizmi, energjia, inovacioni dhe arsimi, si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve kulturore dhe shoqërore mes dy vendeve.

Vizita e Kryetarit të Kuvendit në Irlandë është pjesë e një angazhimi më të gjerë për të forcuar diplomacinë parlamentare dhe për të rritur mbështetjen ndërkombëtare për Shqipërinë në rrugën e saj europiane.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Parlamentit të Irlandës, në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Irlandë nga delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga deputetët Bora Muzhaqi, Genti Lakollari, Erion Malaj dhe Blendi Himçi si edhe nga Ambasadori Uran Ferizi.