Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka denoncuar në një deklaratë për mediat abuzimet që sipas tij po kryen qeveria, si pasojë e të cilave në shumë zona të prekura nga moti i keq situata nuk është përmirësuar.
“Nga raportimet e qytetarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike mësohet se vazhdojnë të jenë të izoluara dhjetëra fshatra në Dibër, në Tropojë, në Has, në Pukë, në Malësinë e Madhe, në Shkodër, në Kukës. Qeveria nuk është e pranishme me ndihma ushqimore, apo me medikamente në asnjë familje në zonat e izoluara dhe pa drita prej dy ditësh”, ka deklaruar Ristani.
Sipas tij, emergjenca nga moti i acartë konfirmon paaftësinë e qeverisë së Edi Ramës për t’u përballur me realitetin, por ka nxjerrë në pah edhe një skandal tjetër.
“Shumica e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve që janë të deputetëve të maxhorancës dhe qeveritarëve kanë marrë paratë, por këto dy ditë nuk janë shfaqur asnjë minutë, as për të hedhur një lopatë me kripë apo skorje. Në krye të këtij skandali është firma e deputetit Sadri Abazi, regjistruar në emër të nipit, e cila në segmentin Koplik-Bog-Qaf Thore dhe Koplik-Razem-Hani Hotit-Tamare-Vermosh, jo vetëm nuk ka nxjerrë asnjë punonjës në rrugë, por nuk denjon as t’u hapë telefonin drejtuesve vendorë”, ka thënë Ristani.
Ai ka theksuar se, e njëjta situatë është edhe në zona të tjera. “Ndërkohë, disa kompani mirëmbajtjeje të cilat kanë kryer detyrimet e tyre kontraktuale nuk kanë marrë asnjë qindarkë pagese dhe në disa raste, si në aksin Milot-Peshkopi, u janë ndërprerë kontratat pa asnjë kriter dhe ua kanë rilidhur vetëm për një muaj në momentet e nisjes së emergjencës”, ka thënë Ristani.
Ai ka shtuar se, ky abuzim në kurriz të qytetarëve në këto ditë të vështira meriton një hetim serioz nga prokuroria. “Ndërkohë, Edi Rama vazhdon t’i kthejë kurrizin qytetarëve të izoluar, të mbërthyer nga i ftohti dhe errësira, duke mos pasur asnjë prani në terren, asnjë ndërhyrje në shërbim të tyre”, ka thënë deputeti i PD.
Larry Thomas largohet nga Ylli
Gucati: Salih Mustafa keq me shëndet, babai në gjendje kriti...
Aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, dyshohet se nuk i deklaroi rre...
Aksident i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, një i lënd...
KQZ certifikon 169 vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme
Galatasaray po e ndjek me vëmendje një sulmues të Milanit