ODIHR i vlerëson si pozitive zgjedhjet në Shqipëri

16:21 | 22 Qershor 2015
M. A.

Misioni vëzhgues i OSBE-ODHIR në raportin e parë pas zgjedhjeve të së dielës, thotë se zgjedhjet ishin përgjithësisht pozitive, porse janë vënë re votime në grup dhe parregullsi.

Si shqetësim u cilësua prania e përfaqësuesve partiakë jashtë qendrave të votimit që sipas shefes së vëzhguesve të OSBE-ODHIR, Audrey Glover mund të frikësonin votuesit, gjë që u cilësua si minim i besimit të publikut.

Në vijim u tha se jo të gjitha kërkesat për zgjedhjet u përmbushën dhe se KQZ si entiteti përgjegjës për organizimin e përgjegjshëm të zgjedhjeve ka funksionuar në mënyrë të hapur, por nënvizohet se karakteri i politizuar i diskutimeve çoi në vendime jo konsistente të KQZ dhe se disa vendime ishin në kundërshtim me ligjin.

Sipas Glover, KQZ mund të kishte dhënë udhëzim më të mirë dhe se disa nga afatet kohore për formimin e komisoneve nga KZAZ nuk u arritën.

Sa i takon mediave, ajo tha se ka një numër të madh transmetuesish mediatik por jo pluralizëm dhe nuk ka autonomi të redaktorëve.

Po ashtu u deklarua se videot e fushatës kryesisht u prodhuan nga vetë partitë, por edhe pse kjo lejohet nga kodi zgjedhor, quhet reklamim politik. Problematikë u cilësua edhe presioni ndaj përfaqësuesve të administratës me kërcënimin e vendeve të punës në këmbim të votave.

Blerja e votës u cilësua si tjetër problematikë, në këmbim të shumave financiare. Në këtë linjë u deklarua se blerja e votës është denoncuar me akuza publike nga partitë politike dhe se më tej do mblidhen prova lidhur me këto akuza, ku çdo gjë do publikohet në raportin përfundimtar. Gjithashtu u nënvizua se udhëheqësit kanë dalë gjerësisht në fushatë dhe se deklaratat e bëra gjatë fushatës, nuk përputheshin plotësisht me ato të zonave konkrete.

Shpërndaje në rrjete sociale