Nishani:Me asociacionin e komunave, Serbia de facto e ka njohur pavarësinë e Kosovës

15:06 | 10 Shtator 2015
Gita

Me ftesë të presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani ka mbërritur sot për një vizitë zyrtare në Tiranë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Pas ceremonisë së mirëseardhjes që nisi rreth orës 10:00, presidentja e Kosovës pati një takim kokë më kokë me presidentin Nishani pa praninë e mediave. Më pas të dy homologët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Presidenti Nishani tha se kanë biseduar për një sërë çështjesh me homologen Jahjaga, duke u ndalur si fillim në diskutimin për një treg të përbashkët ekonomik, pa barriera politike, të qëndrueshëm dhe të konkurueshëm edhe brenda tregut evropian.

Nishani gjithashtu vlerësoi mbledhjet dhe takimet e përbashkëta të dy qeverive veçanërisht për unifikimin e programeve arsimore. Presidenti i Shqipërisë tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit, sidomos në respektimin e pakicave etnike, aspekt për të cilin duhet të merret shembull nga vendet e tjera. Ai foli edhe për marrëveshjen me komunat serbe në Kosovë, ndërsa shprehu qëndrimin e tij se kjo është një njohje ‘de facto’ që Serbia i bën shtetit të Kosovës.

Nishani:Me asoci acionin e komunave, Serbia e ka njohur de facto pavarësinë e Kosovës “Në lidhje me krijimin e asociacionit të komunave me qytetarët e kombësisë serbe në Kosovë, natyrisht që Shqipëria e mbështet tërësisht marrëveshjen. Në gjykimin tonë është një marrëveshje mjaft transparente dhe e qartë e cila nuk e cenon aspak sovranitetin dhe ushtrimin e sovranitetit të autoriteteve të shtetit të Kosovës në territorin e saj.

Është një pranim, është pranim De Facto i pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, për sa kohë Serbia njeh këtë fakt, këtë autoritet nga shteti i Kosovës dhe institucionet shtetërore të Kosovës mbi pakicat serbe në Kosovë duke i trajtuar si pakica të një minoriteti. Ato jetojnë në një vend tjetër jo në vendin e tyre dhe kjo është një pranim de facto i Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Për sa i takon shqiptarëve në Luginën e Preshevës, unë e kam shprehur dhe herë të tjera dhe dua ta nënvizoj me forcë që në mbetemi të shqetësuar për situatën e tyre veçanërisht në aspektin ekonomik dhe social. Ende nuk po gëzojnë të drejtat që ju takojnë.

Kam marrë angazhime dhe premtime të gjera nga ana e autoriteteve serbe për të cilat unë ende pres që ato të jetësohen. Pra jemi ende në fazën e premtimeve të autoriteteve serbe për të cilat shteti shqiptar do vazhdoj të këmbëngulë që këto premtime të realizohen në praktikë si një e drejtë e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, ” tha presidenti Bujar Nishani.

Lidhur me këtë marrëveshje edhe presidentja Jahjaga tha se ajo është arritur me ndërmjetësimin e BE-së, mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë, për krijimin e asociacionittë komunave serbe në veri të territorit të Republikës së Kosovës. Jahjaga shtoi se kjo vjen në vazhdën e një numri të konsiderueshëm marrëvesh jesh që janë arritur në kuadër të procesit të dialogut, për lehtësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Kjo marrëveshje është në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës,” tha Jahjaga.

Jahjaga: Kjo marrëveshje e arritur është në përputhje me Kushtetutën “Është në kuadër të vazhdës së një numri të konsiderueshëm marrëveshjesh që tani më kemi arritur në procesin e dialogut. Unë e kam theksuar dhe ritheksuar shumë herë se procesi i dialogut ka për qëllim lehtësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo marrëveshje e arritur është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Dhe përmes këtij procesi dhe të kësaj marrëveshje, kemi kyçjen e mëtutjeshme të jetës institucionale të komunitetit serb i cili jeton në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës,” tha sot në Tiranë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Më tej presidenti Nishani foli gjithashtu edhe për Gjykatën Speciale, ndërsa tha se Shqipëria e mirëpret ngritjen e Gjykatës Speciale për krimet e Luftës,dhe se askush nuk guxon ta çrrënjos apo tjetërsojë luftën heroike të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës për liri. Ndërkohë ai i bëri apel edhe vendeve të BE-së që për shkak të valës së madhe të azil kërkimit të mos penalizojnë Kosovën sa i përket liberalizmit të vizave.

Nishani: Asgjë dhe askush nuk e tjetërson dot luftën heroike të UÇK “Shqipëria e mirëpriti dhe e mbështeti krijimin e Gjykatës Speciale, për krime lufte në Kosovë, duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte e vështirë por e duhura, pasi vetëm kështu do të mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e hidhura. Dua të thekso j se asgjë dhe askush nuk e eklipson apo tjetërson dot luftën heroike të UÇK dhe popullit të Kosovës në përballje dhe me gjenocidin millosheviçian mbi baza etnike, ushtruar mbi popullin e Kosovës. Përpjekjet heroike të UÇK-së dhe popullit të Kosovës e mbështetën fuqishëm SHBA-të, NATO, BE, dhe sot ky solidaritet mban emrin pavarësi, ” tha më tej presidenti Nishani.

Dy homologët biseduan edhe për një treg të përbashkët ekonomik, pa barriera politike, të qëndrueshëm dhe të konkurueshëm edhe brenda tregut evropian, për të cilin presidentja Jahjaga u shpreh se ka ardhur koha që të dy vendet tona ti forcojnë edhe më shumë ekonomitë.

Jahjaga: Të forcojmë më shumë ekonomitë tona dhe zgjerimin në rajon “Ne bashkërisht kemi përfunduar një numër të madh projektesh infrastrukturore duke përafruar më shumë qytetarët tanë dhe duke lehtësuar kështu më shumë bashkëpunimin në mes të shteteve tona, dhe tani ka ardhur koha që neve të punojmë më shumë që të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin, që të forcojmë më shumë ekonomitë tona dhe njëherësh edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon. Të dyja shtetet tona kanë dëshmuar se bashkëpunimi në rajon është jo vetëm domosdoshmëri për rrugët tona drejt BE-së, por është edhe një garantues i zhvillimit të shoqërive tona, dhe i sigurisë, paqes, stabilitetit jo vetëm në rajon por edhe më gjerë,” tha presidentja Jahjaga. /KosovaPress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme