Nga festat e Nëntorit tek takimet në Doha, aktivitetet e javës të Ramës

19:45 | 30 Nëntor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau fotoalbumin e javës me momente të rëndësishme në planin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Në Tiranë, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për zbatimin e Planit të Rritjes, një kornizë thelbësore për përshpejtimin e integrimit ekonomik dhe rregullator me Tregun Unik të Bashkimit Europian. Takimi i mbajtur më 21 nëntor theksoi vullnetin e palëkundur të vendeve të rajonit për të avancuar reformat dhe për të forcuar bashkëpunimin me BE-në.

Shqipëria kremtoi 113-vjetorin e Pavarësisë. Ceremonia shtetërore u zhvillua në Vlorë, ku ngritja e Flamurit Kombëtar dhe homazhet në nder të Ismail Qemalit sollën në qendër të vëmendjes rrugëtimin historik të shtetit shqiptar.

Kryeministri Rama vendosi një kurorë me lule në monumentin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, duke nderuar përkushtimin dhe vizionin e rilindësve.

Po këtë javë, u përkujtua edhe 81-vjetori i Çlirimit të Atdheut. Në Varrezat e Dëshmorëve, ceremonia zyrtare u shoqërua me homazhet e krerëve të shtetit, ku kryeministri Rama u përul me respekt para Monumentit “Nënë Shqipëri”, duke theksuar mirënjohjen e përjetshme ndaj atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.

Në Tiranë u çel edhe ekspozita “Besa” në “Bunk’Art 2”, një dëshmi e solidaritetit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve ndaj popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryeministri Rama nënvizoi rolin e familjeve shqiptare që strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë në një nga epokat më të errëta të njerëzimit.

Kryeministri Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Doha, Katar, ku u prit në takime të nivelit të lartë, përfshirë atë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.

Diskutimet u përqendruan në projekte të rëndësishme për Shqipërinë dhe në thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Në këtë kuadër, u zhvillua edhe një takim me drejtorin e përgjithshëm të “Qatar Airways”, Badr Mohammed Al-Meer, me të cilin u diskutua vendosja e një linje direkte ajrore mes Katarit dhe Shqipërisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme