Nesër, afati i fundit për lirimin e akseve kombëtare, qeveria forcon sigurinë rrugore

20:47 | 30 Korrik 2025
E.G

Dita e nesërme, 31 korrik, shënon afatin e fundit për subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare që të lirojnë vullnetarisht hapësirat e zaptuara, të cilat janë kthyer në rrezik serioz për sigurinë rrugore.

Ky aksion i rëndësishëm është pjesë e një reforme më të gjerë kombëtare për kthimin e ligjshmërisë në territor dhe lirimin e hapësirave publike.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, dhe drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli, ishin sot në aksin rrugor Kamzë-Laç për të inspektuar ecurinë e aksionit. Balluku përsëriti thirrjen drejtuar bizneseve që të tregohen bashkëpunues në këtë nismë, duke paralajmëruar njëkohësisht penalizime për të gjithë ata që refuzojnë të zhvendosen.

“Po zbatohet reforma e kthimit të ligjshmërisë së territorit të Shqipërisë për sa i përket sigurisë rrugore, por edhe hapësirës publike e cila duhet liruar,” theksoi Balluku. Ajo shtoi se thirrja u është bërë të gjitha subjekteve dhe bizneseve në zonat e akseve kombëtare për të marrë masa dhe liruar hapësirat, veçanërisht në rastin e “varrezave të automjeteve”, të cilat sipas aktit normativ të vitit 2011, duhet të qëndrojnë 1 km larg rrugës kombëtare.

Angazhimi i qeverisë dhe pasojat për mosrespektuesit

Balluku kujtoi se ka pasur aksione të mëparshme që nuk kanë dhënë rezultate, por këtë herë, theksoi ajo, aksioni do të shkojë deri në fund. Ajo përmendi si shembull rrugën e Ndroqit, ku subjektet në shkelje kanë tërhequr gjithçka që kishin vendosur pranë rrugës, përfshirë kompanitë e mermerit.

“Ne e bëjmë këtë thirrje për të gjitha subjektet që duhet ta bëjnë këtë punë me vullnet të plotë, pa ndërhyrjen e IKMT-së. Por ndërkohë IKMT është në terren për t’i identifikuar të gjitha shkeljet të cilat edhe do të penalizohen,” theksoi Balluku.

Drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, bëri të ditur se thuajse 90% e subjekteve me aktivitet pranë akseve rrugore janë informuar.

“Në datën 31 është afati i fundit. Deri në 31 janë në fazën e paralajmërimit duke u lënë afat që me vullnet mos të penalizohen me masa administrative apo penale. Por ne këtë aksion do ta çojmë deri në fund duke ndërhyrë si me masa administrative edhe penale,” siguroi ajo.

Ky aksion nënvizon vendosmërinë e qeverisë për të garantuar sigurinë rrugore dhe për të rikthyer hapësirat publike, duke ndëshkuar rastet e patolerueshme të shkeljeve.

/rtsh.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale