Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Komandën Supreme të Aleancës në Evropë. Ai u prit në një takim nga Komandanti Suprem i Aleancës për Evropën, Gjenerali Christopher G. Cavoli, njëkohësisht dhe Komandanti i Komandës Amerikane për Evropën.
Gjatë takimit u diskutua mbi mjedisin aktual të sigurisë, sfidat në kufirin lindor të Aleancës, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, angazhimet e vendit tonë në kuadër të NATO-s, partneriteti strategjik me SHBA, zhvillimi i kapaciteteve të FARSH dhe modernizimi.
Ministri Peleshi, ndër të tjera, vlerësoi rolin vendimtar të Komandës Supreme të Aleancës në materializimin e objektivave politike të NATO-s dhe mbi të gjitha punën e matur për përballje me sfidat aktuale në kufijtë e Aleancës, pa shkëputur vëmendjen nga rajoni i Ballkanit. Ai theksoi rëndësinë e prezencës së trupave të NATO-s në lindje, Letoni dhe Bullgari dhe njëkohësisht në KFOR, Kosovë. NATO dhe SHBA, sipas ministrit Peleshi, duhet të promovojnë dhe investojnë me këmbëngulje në reformën e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë ju kushtua rolit të Shqipërisë, si një aleat i besueshëm dhe kontribues aktiv për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë, por në të njëjtën kohë dhe pozicionit strategjik që vendi ynë ka për mbështetjen e vazhdueshme logjistike në kufirin lindor të Aleancës. Në takim u vlerësua rëndësia që qeveria shqiptare i ka kushtuar zhvillimit të infrastrukturës dhe kapaciteteve të porteve dhe ndërtimit të “Korridorit VIII”, si projekte thelbësore për aksesin e menjëhershëm të forcave të NATO-s në brendësi të Ballkanit deri në Detin e Zi. Ministri i Mbrojtjes shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të ndërtuar këtë infrastrukturë sipas standardeve të NATO-s dhe vendosjen e saj në dispozicion të Aleancës.
Komandanti Suprem i Aleancës për Europën, Gjenerali Christopher G. Cavoli, njëkohësisht dhe Komandanti i Komandës Amerikane për Europën shprehu mirënjohjen e tij për rolin e Shqipërisë si një aleat dinjitoz dhe tepër dinamik në NATO, kontributin e vendit tonë për Aleancën dhe vullnetin e shprehur në vazhdimësi. Gjenerali Cavoli vlerësoi rolin dhe profesionalizmin e ushtarakëve shqiptarë që shërbejnë në komandat dhe misionet e NATO-s.
Gjatë aktivitetit Ministri i Mbrojtjes u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar që shërben në SHAPE. Peleshi i falënderoi ata për punës e mirë dhe përfaqësimin dinjitoz në komandën kryesore të NATO-s. /arbresh.info/
56 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
Kallas: SHBA dhe Evropa duhet të qëndrojnë të bashkuara
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit