Në Shqipëri, një sipërmarrës dhe 8 kontrollorë të policisë kufitare në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit janë vënë nën akuzë pasi prokuroria zbuloi një skemë për të favorizuar daljen nga vendi të personave të cilëve u është ndaluar udhëtimi për në vendet e Bashkimit europian. Enea Sulejmani, pronar i një agjencie udhëtimesh dhe inspektori Briken Tereziu, u arrestuan, i pari për “Korrupsion akti të zyrtarëve”, ndërsa i dyti për “korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”. Për 7 kontrollorët e tjerë, u dha masat e “arrestit në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje”, ndërsa akuzohen për shpërdorim detyre.
Skema e vënë në jetë, u zbulua pas zbërthimit të telefonit të Sulejmanit, i cili ishte arrestuar fillimisht për trafik të lëndëve narkotike. Sulejmani, sipas Prokurorisë, mbante kontakte të vazhdueshme me punonjësin e policisë Tereziu, të cilit i dërgonte të dhënat e personave të cilët kishin blerë bileta në agjensinë e tij, për verifikim paraprak të rekordeve në sistemin TIMS, për të parë nëse plotësonin kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së. Inspektori i policisë e informonte rast pas rasti për problematikat e çdo udhëtari.
Hetimi ka zbuluar se më pas “jepeshin udhëzimet mbi kabinën ku duhet të paraqiten për përpunimin e të dhënave dhe vlerat monetare në këmbëim të lejimit për të udhëtuar dhe formën e dorëzimit të tyre”.
Sipas prokurorisë, pagesat përcaktoheshin në varësi të problemit që një udhëtar kishte, një pjesë e të cilëve nuk kishin asnjë lloj pengese, por mashtroheshin duke u detyruar të paguanin 50 euro. Ndërsa pagesat shkonin në 500 euro apo më shumë për ata që kishin problematika që lidheshin me ndalimin e hyrjes në vendet e Bashkimit europian sepse ishin dëbuar nga autoritetet vendase./VOA
Sergio Ramos blen ish-klubin e tij Sevillan për 450 milionë ...
Rama nis vizitën zyrtare në Izrael, kjo është agjenda për so...
Masakër në një ndeshje futbolli në Meksikë, të paktën 11 të ...
Me urdhër të gjykatës, arrestohet një shtetas i Serbisë në M...
Gjashtë të lënduar nga aksidenti mes tri veturave në Mamush ...
Arrestohet një person për disa vjedhje të rënda në Gjilan