Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në edicionin e dytë të “Matchmaker Albania”, e cilësoi këtë platformë si një hapësirë të rëndësishme për prezantimin e transformimit që po kalon ekonomia shqiptare. Ai nënvizoi se “Matchmaker Albania” është i fokusuar në katër shtylla kryesore që përfaqësojnë drejtimin e zhvillimit ekonomik.
“Panairet kanë qenë gjithmonë një mundësi për të treguar historinë. Ky panair ka katër fusha që reflektojnë thelbin e ndryshimit që modeli ekonomik ka sjellë, së pari: turizmi dhe projektet moderne urbane”, u shpreh Rama, duke theksuar se ky event reflekton ndryshimet e modelit ekonomik të vendit.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga një destinacion sezonal në një treg më të zhvilluar dhe të diversifikuar.
“Nga një vend i turizmit të aventurës për 1-2 muaj në vit dhe për një numër të kufizuar njerëzish, Shqipëria është tashmë një vend ku po ndodhin disa prej ndryshimeve më të mëdha, me një portofol të larmishëm mundësish, nga turistët individualë te grupet e mëdha”, deklaroi ai.
Kryeministri bëri të ditur edhe planet për investime të mëdha në këtë sektor.
“Po përgatitemi të prezantojmë disa investime të mëdha që janë në gamën e miliardave dhe synojmë të promovojmë jo vetëm destinacionet turistike, por një turizëm të një profili tjetër, të një niveli tjetër të të kuptuarit dhe kujdesurit për qëndrueshmërinë,” u shpreh Rama.
Sa i përket bujqësisë, ai theksoi potencialin në rritje të eksporteve. Rama deklaroi se objektivi i qeverisë është që eksportet të arrijnë në 1 miliardë euro.
“Shtylla e dytë është bujqësia inteligjente. Duket ende si një fushë sfiduese, por ku po ndodhin shumë gjëra dhe ku shumë produkte të prodhuara në Shqipëri po zhvillohen me shpejtësi. Prodhimet shqiptare mbërrijnë në tryezat e mbi 100 vendeve. Objektivi ynë për t’i çuar eksportet në 1 miliardë euro është brenda mundësisë sonë”, tha ai.
Më tej, Rama u ndal dhe te transformimi digjital dhe teknologjia. Ai paralajmëroi se së shpejti Ministrja “Diella” do të rikthehet me lajme të mira.
“Shtylla e tretë janë horizontet digjitale, inteligjenca artificiale, siguria kibernetike. Jemi vendi i parë që i ka lënë hapësirë edhe në qeveri një ministri të inteligjencës artificiale. Po ecim shumë mirë dhe po bëhemi gati të rikthehemi me lajme të mira. Digjitalizimi për ne përfaqëson një bekim, sepse është një mundësi unike për të kapërcyer përpara dhe për të mbyllur brenda një kohe shumë të shkurtër hendeqe historike”, theksoi ai.
Në fund, kryeministri u fokusua te energjia si një nga sektorët strategjikë për të ardhmen. Ai shprehu dhe vizionin e qeverisë për sovranitetin energjetik deri në fund të kësaj dekade.
“Shtylla e katërt është energjia. Nga një sektor që për një kohë të gjatë lidhej me paqëndrueshmërinë dhe varësinë nga kushtet natyrore, është bërë një sektor që lidhet me diversifikimin dhe vizionin afatgjatë. Ne po diversifikojmë portofolin e prodhimit të energjisë dhe në mënyrë të qëndrueshme po ecim drejt objektivit të madh ambicioz të sovranitetit të plotë”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Veldin Hoxha me një supergol barazon rezultatin
Lladrovci nga stadiumi: Jemi këtu për fitore, për Kosovën dh...
Deputeti i VV-së: Osmani e ka shkelur Kushtetutën “me të dy ...
Maduro në Gjykatën e New York/ Kërkon rrëzimin e akuzës për ...
Lëndon rëndë një grua me fëmijën e saj: “Zhduket” shoferi i ...
Sllovakia në epërsi ndaj Kosovës