Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka reaguar për marrëveshjen e nënshkruar mes Serbisë dhe Rusisë e cila u nënshkrua dy ditë më parë nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe ai serb Nikolla Selakoviq.
Ish-kryeministri shqiptar shprehet se kjo marrëveshje është një dëshmi e qartë e sjelljes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq e ngjashme me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Berisha me anë të një shkrimi në Facebook e konsideron këtë marrëveshje një kërcënim të ri për Ballkanin Perëndimor.
“Marrëveshja serbo-ruse në New York, një kërcënim i ri për Ballkanin Perëndimor! Ministri i Jashtëm i Vladimir Putinit, Sergei Lavrov pasi dështoi në udhëtimin e tij drejt Beogradit në fillim të qershorit të këtij viti, vizitë në të cilën, siç deklaroi vetë, do të shprehte mbështetjen për ‘Ballkanin e Hapur’, u takua dy ditë më parë në Selinë e OKB-së dhe firmosi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikolla Selakoviq, ‘Marrëveshjen për Bashkëpunimin në politiken e jashtme’ midis Moskës dhe Beogradit”, shkruan Berisha.
“Kjo marrëveshje dëshmon qartë dhe përfundimisht se Serbia po sillet si Rusi e vogël dhe presidenti i saj Vuçiç është një Putin i vogël në rajonin tonë. Marrëveshja e Beogradit me Moskën pas agresionit rus në zemër të Evropës ndaj një vendi të lirë, Ukrainës, fakton se sa iluzive janë përpjekjet për të shkëputur Putinin e vogël të Serbisë nga Putini i madh i Rusisë”, shton ai.
Ai në fund thekson se bashkëpunimi mes Moskës dhe Beogradit tregon se kryeministri Edi Rama është një vasal i Vuçiqit.
“Duke dënuar me forcë këtë si një kërcënim për paqen në rajonin tonë, shtoj se marrëveshja për bashkëpunim në politiken e jashtme midis Moskës dhe Beogradit provon gjithashtu se Edi Rama, ky vasal i Vuçiqit me mbështetjen e ‘Ballkanit të Hapur’ po punon me përkushtim për hegjemoninë ruso-serbe dhe destabilizimin e rajonit dhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve”, përfundon Berisha./arbresh.info/
Njëri nga tre viktimat që vdiqën në vendin e punës në Vjenë ...
Parashikimi i motit për sot
Pas arrestimit për armëmbajtje, Gimbo tregon gjendjen emocio...
Trumpi paralajmëron tërheqjen nga lufta në Iran
Hoxha bisedon me homologun kroat për sigurinë energjetike pë...
PFL bën historinë në Spanjë, ndërsa Londra pritet të ndizet ...