Kryesia e PD vendos të bllokojë akset rrugore çdo të enjte, Basha u kërkon krerëve të degëve angazhim për protestën e 11 majit

08:24 | 27 Prill 2019

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur pasditen e djeshme Kryesinë dhe kryetarët e degëve, ku u vendos se çdo të enjte, që përkon me seancat e Kuvendit do të ketë bllokime rrugësh, ashtu siç ndodhi edhe dy ditë më parë.

Sipas burimeve të gazetës bëhet me dije se do të ketë bllokim të rrugëve edhe në qytetet ku kryeministri Rama do të zhvillojë takime në kuadër të turit “Bashkia që duam”. Bllokimi i rrugëve ka nisur ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës, ku disa militantë të opozitës nën drejtimin e Flamur Nokës bllokuan hyrjen e qytetit. Po ashtu edhe sot do të ketë bllokim të akseve rrugore në qytetin e Elbasanit. Po të njëjta burime, sqarojnë se Basha u ka kërkuar krerëve të degëve angazhim maksimal, për të mundësuar një pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e katërt kombëtare të opozitës, e planifikuar të mbahet më 11 maj.

“Çdo të enjte do të ketë bllokim rrugësh. Sa më shumë pjesëmarrje në protestë. Të shkohet në çdo derë për të përcjellë mesazhin. Angazhim maksimal”, mësohet të ketë thënë Basha. Mbledhja me Kolegjin e Kryetarëve, Kryesinë dhe ish grupin parlamentar erdhi një ditë pasi ish-deputetët e PD-LSI dhe militantët e partive opozitare bllokuan për një orë fiks pesë akset kryesore në vend: Në Tiranë u bllokua rrethrrotullimi “Shqiponja”, në Durrës u bllokua aksi Plepa-Autostradë, në Fier rrethrrotullimi “Sheq”, në Elbasan rrethrrotullimi “Bradashesh”, ndërsa në Milot karburanti në autostradë. Kreu i PD, Lulzim Basha printe protestuesit në Milot, ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhit qëndroi në ballë të protestuesve në Durrës. Në Tiranë qëndruan ish-deputetët Dhurata Çupi, Astrit Veliaj, Genc Pollo, Klevis Balliu, Valentina Duka, Petrit Vasili, Silva Caka, Klajda Gjosha, etj. Me protestuesit e Tiranës u bashkuan edhe banorët e “Astirit”. Në Elbasan ishin Edmond Spaho, Endri Hasa, Luçiano Boçi, Ervin Salianji, Edmond Haxhinasto, etj., ndërsa në Fier qëndruan Enkelejd Alibeaj, Nada Meçorapaj, Tritan Shehu dhe Kejdi Mehmetaj./sot news

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara