Nagavci: Nëse propozohet edhe Vjosa Osmani do të ishte kandidate

14:12 | 25 Prill 2026
Q L

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nëse Vjosa Osmani propozohet si njëra nga tre kandidaturat për presidente, atëherë emri i saj do të procedohet për votim në Kuvendin e Kosovës.

“Nëse PDK ose LDK propozon Vjosa Osmanin si njërën nga tre emrat që kanë mundësi t’i propozojnë, patjetër që do të ishte një nga kandidaturat që do të vendosej në Kuvend si propozim për zgjedhjen e presidentes”, tha Nagavci kur u pyet nga gazetarët se çka do të veprohej nëse Vjosa Osmani do të propozohej si kandidate për presidente.

Ndërkaq, e pyetur nëse ka diçka të vërtetë rreth raportimeve mediatike për takimin mes kreut të partisë, Albin Kurti dhe komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, dhe nëse ky i fundit mund të jetë kandidat për president, Nagavci tha se ky subjekt politik aktualisht nuk po merret me emra të përveçëm.

Nagavci tutje tha se LVV tashmë u ka ofruar mundësinë dy partive opozitare që të propozojnë tre emra për president, duke shtuar se janë të gatshëm që menjëherë të tërheqin kandidatët e tyre, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, në momentin që pranojnë propozimet nga PDK dhe LDK.

“Kemi ofruar mundësinë që PDK dhe LDK, qoftë me dakordim të sjellin tre emra, qoftë cilido nga ta të sjellin një ose dy emra. Ne jemi të gatshëm në momentin që i kemi tre propozime nga PDK dhe LDK, të tërheqim emrat e kandidatëve tanë dhe ato propozime të hidhen në votim në Kuvend”, tha ajo pas seancës së jashtëzakonshme të shtunës.

Ajo u bëri thirrje këtyre dy partive që të propozojnë emra kredibil dhe unifikues, të cilët nuk janë pjesë e skenës aktuale politike, duke shtuar se zgjedhjet presidenciale nuk janë zgjidhje dhe duhet të shmangen.

Nagavci nënvizoi se presin që propozimet të vijnë deri në mbrëmjen e së nesërmes, duke shprehur besimin se ekzistojnë figura që mund të bashkojnë spektrin politik dhe të marrin mbështetjen e nevojshme në Kuvend.

Shpërndaje në rrjete sociale