Në ditën e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka uruar besimtarët që nesër festojnë Fiter Bajramin, pas një muaji agjërim.
Në mesazhin e tij, kreu i KMSH, Bujar Spahiu, lutet që Zoti t’ua ketë pranuar agjërimin besimtarëve dhe Ramazani të ketë nxjerrë tek ta mësime për t’i vazhduar më tej.
“Të dashur motra dhe vëllezër kudo ku ndodheni Sot, besimtarët myslimanë po përcjellin muajin e madhërishëm të Ramazanit. Po i japim lamtumirën e fundit muajit të bekuar, që la pas falje e mëshirë për secilin. Nesër është festë, është Fiter Bajrami! “Hani e pini të gëzuar, ngase këtë e keni fituar në ditët e kaluara.” (El-Hakka, 24) Ne, sot i lutemi Zotit të Madhëruar – Mëshiruesit e Bamirësit, që Ramazani i nderuar, i cili në këtë botë është, fund e kye, një mirësi e madhe për ne, në Ditën e Ringjalljes të ndërmjetësojë tek Zoti për ne, duke thënë: “O Zot! Unë i kam penguar këta gjatë ditës nga të ngrënët, të pirët dhe kënaqësitë e tjera të ndryshme; pranoje ndërmjetësimin tim në favor të tyre.” Të nderuar motra dhe vëllezër!
Agjërimi ishte një “shkollë” një mujore për secilin prej nesh. Gjatë këtij muaji njeriu mëson se modestia dhe jo mendjemadhësia është virtyt. Mëson se falja është më me vlerë se hakmarrja. Mëson se përkujdesi ndaj të varfërve dhe të pamundurve është cilësi më e lartë se indiferentizmi. Mëson vetëdisiplinimin, vetëkontrollin dhe vetedukimin. Sot nuk mund t’i përmend të gjitha ato të mira që i mësuam nga muaji Ramazan, por desha të theksoj një çështje me rëndësi, mbi të cilën duhet të përqendrohemi me seriozitet dhe sinqeritet: drejtimin që e morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që e arritëm, duhet t’i vazhdojmë më tej.
Të nderuar vëllezër, ruajeni atë që e fituat në Ramazan! Nesër ne festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë. Por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit edhe të varfërit, të sëmurët, të moshuarit, për të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit për sikletet e tyre, japim edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë. Uroj që kjo festë të sjellë harmoni, solidaritet, begati dhe mirëqenie në familjen e çdo shqiptari! Fitër Bajrami le të na shërbejë si moment i vetëdijesimit tonë që të respektojmë dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore! Qoftë ky Bajram një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj!”, tha ai./abcnews.al
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut
Osmani uron Tajlandën për Ditën Kombëtare: Mezi pres të forc...
Milaim Zeka paraqitet në SPAK
Surprizohen fëmijët e shtrirë në Pediatri, “Super-heronjtë” ...
PDK-ja në Ferizaj publikon listën me kandidatët për deputetë