Konfirmohen 12 vatra të murtajës në Shqipëri, afro 2 mijë krerë të asgjësuara

22:11 | 21 Gusht 2025
E.H

Pas rasteve të konfirmuara të murtajës së bagëtive të imëta në Shqipëri, shefi i Drejtorisë së Veterinarisë në Tiranë, Sulejman Kullolli, bëri të ditur se janë asgjësuar mbi dy mijë krerë në të gjitha vatrat ku është konstatuar sëmundja.

Ai theksoi se kjo sëmundje prek kryesisht bagëtitë e imta.

“Kemi 12 vatra të shpërndara nga veriu në jug dhe Shqipërinë e Mesme. Gjithsej, Shërbimi Veterinar ka dërguar në laborator kampionët e marrë në gjithë tufat e Shqipërisë, 4.470 tamponë të marrë në këto zona, 3 dhe 10 km. Nga këto, vetëm 12 vatra na kanë rezultuar pozitive. Janë monitoruar 7.680 ferma, 966.565 krerë të monitoruar. Vazhdojmë ta mbajmë situatën në kontroll deri në momentin kur s’kemi më probleme të shfaqjes së shenjave apo ngordhjes së kafshëve,” deklaroi drejtori i Veterinarisë në Tiranë.

Më tej, Kullolli u shpreh se në të gjithë vendin po kryhen kontrolle në fermat që merren me mbarështimin e tyre. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë ka ngritur grupe pune me 30 deri në 40 specialistë për monitorimin e situatës.

“Gjithsej, [kemi] 2.165 kafshë të ngordhura të eliminuara. Sipas planit të kontingjencës, aty ku shfaqet sëmundja qoftë me shenja, ka ngordhje dhe konfirmohet zyrtarisht nga laboratori i ISUV-it, atëherë gjithë krerët e tjerë eliminohen. Vatra e fundit është në Devoll të Korçës, që e kemi akoma nën mbikëqyrje,” u shpreh Kullolli.

Ai shtoi se murtaja e ruminantëve të vegjël përhapet përmes ushqimit të ndotur ose kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve.

Kullolli theksoi se mishi i tyre nuk ka dalë në treg, pasi me shfaqjen e sëmundjes, fermat janë karantinuar dhe situata është mbajtur nën kontroll./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme