Konfiksohen pasuri të shumta të personave të dënuar për trafik droge në Shqipëri

19:04 | 13 Tetor 2023
KRG

Në Shqipëri Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka lënë në fuqi vendimet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për konfiskimin e pasurive të ndryshme me vlera disa milionë euro, të personave të dënuar për trafik lëndësh narkotike. Me tyre është dhe Ahmet Isufaj, xhaxhai i Arben Isufajt, i njohur ndryshe dhe si Ben Qimja, një emër me një të kaluar të errët e i kërkuar dhe nga Italia për trafik të lëndëve narkotike. Pasuritë e konfiskuara të cilat rezultonin në emër të xhaxhait dhe familjarëve të tij të ngushtë, përfshijnë një Kompleks shërbimesh Bar-restorant, lavazh, parkim, i shtrirë në një sipërfaqe prej mbi 500 metrash katrorë, një ndërtesë e shfrytëzuar për dyqane, e ngritur në një sipërfaqe prej mbi 1500 metrash katrorë, një dyqan dhe një automjet tip Audi A4.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme konfiskoi 11 pasuri të ndryshme të Arben Isufajt, mes të cilave një Pulari, kuota aksionesh në një shoqëri tregtare mijëra sipërfaqe tokë e troje si dhe të paktën 5 automjete.

Gjykata e Posaçme e Apelit njoftoi po sot konfiskimin e pasurive të Lulzim Zefit, i dënuar në Angli për trafik kokaine. Pasuritë e konfiskuara ishin në emër të një të afërmi të tij të ngushtë, Fran Zefi. Lista përbëhet nga 16 garazhe në zonat e Yzberishtit dhe Kasharit, si dhe një automjet në emër të një personi tjëtër.

Të konfiskuara me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila është e formës së prere, janë dhe pasuritë e Zaim Tafës, i dënuar për trafik droge dhe armësh. Bëhet fjalë për disa mijëra metra katrorë sipërfaqe mbi të cilat janë ngritur Bar ristorante në zonën e Patozit e që figurojnë në emër edhe të familjarëve të Tafës. Po ashtu në lista është dhe një sipërfaqe trualli dhe një apartament në zonën e Sarandës, si dhe tre automjete.

Një numër i madh pasurishë në emër të një shtetasi belg, Dries Lonneux, i dënuar nga gjykata e vendit të tij për trafik lëndësh narkotike dhe drejtim organizate kriminale, u vunë në sekuestër me urdhër të Gjykatës së Posaçme. Janë të paktën 5 apartamente të ndodhura në Sarandë si dhe mbi 10 mijë metra katrorë, sipërfaqe e llojitë “Arë”, në Tiranë./voa