Klodian Braho zgjidhet kreu i ri i SPAK, merr 7 vota nga KLP

15:27 | 11 Dhjetor 2025
E.G

Klodian Braho është zgjedhur sot drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai do të marrë detyrën pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.

Braho u përzgjodh nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë përmes një procesi votimi të hapur dhe nominal, ku mori 7 vota. Ndërkohë, kandidati Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj mori 1 votë ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Me 18 vite eksperiencë në sistemin e drejtësisë dhe si pjesë e SPAK që prej krijimit, Braho theksoi gjatë prezantimit para KLP-së arritjet e tij, mes tyre edhe konfiskimin e 18.4 milionë eurove në vitin 2023, një shumë sa dyfishi i buxhetit vjetor të institucionit.

Në vizionin e tij, Braho tha se synon konsolidimin e SPAK, forcimin e rolit të BKH-së dhe ngritjen e një sektori të posaçëm për analizën e informacionit. Ai u shpreh se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i barazisë para ligjit janë prioritetet kryesore të kandidimit të tij. Braho theksoi rëndësinë e mbështetjes së pavarësisë së prokurorëve.

Të katër kandidatët prezantuan sot platformat e tyre përpara anëtarëve të KLP-së, ndërsa të pranishëm në seancë ishin edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ambasadori i BE‑së Silvio Gonzato dhe ambasadori britanik Nicholas Abbott. Braho do të zëvendësojë në krye të SPAK Altin Dumanin, me një mandat 3-vjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhjeje.

Karriera e Klodian Brahos

Ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës me rezultate të shkëlqyera.

Ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Beratit dhe më pas në Prokurorinë e Vlorës, ku ishte pjesë e njësisë Task Forcë dhe për dy vite drejtues i saj, si dhe zëvendësdrejtues i prokurorisë.

Nga viti 2016 deri në 2019 ka punuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si pjesë e njësisë për hetimin e korrupsionit dhe pasurisë, me kompetencë mbi zyrtarë të lartë shtetërorë, të zgjedhur vendorë dhe funksionarë të drejtësisë.

Prej ditës së parë të funksionimit të SPAK është pjesë e kësaj strukture. Që nga prilli 2023 mban detyrën e Drejtuesit të Seksionit Kundër Korrupsionit.

Procesi për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hyrë në fazën përfundimtare.

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, këtë të enjte më 11 dhjetor, kandidati i katërt dhe i fundit, prokurori Klodian Braho, prezantoi platformën e tij, duke shpalosur vizionin për drejtimin e institucionit dhe duke evidentuar disa nga hetimet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Me një eksperiencë 18-vjeçare në sistemin e drejtësisë, Braho e nisi fjalën e tij duke falënderuar për mundësinë për të paraqitur idetë mbi konsolidimin e mëtejshëm të SPAK.

Ai kujtoi se rrugëtimi i tij ka nisur nga Shkolla e Magjistraturës, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera, dhe se prej ditës së parë të funksionimit të SPAK është pjesë e kësaj strukture.

“Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë dhe kam ushtruar funksionin e prokurorit në disa zyra të ndryshme të vendit. Prej ditës së parë të funksionimit të Prokurorisë së Posaçme jam pjesë e kësaj strukture. Në çështjet penale që kam hetuar, kam kërkuar konfiskimin e pasurive që shkojnë në miliona euro. Vetëm në vitin 2023 u konfiskuan 18.4 milionë euro që i përkisnin një organizate kriminale, kjo shumë është sa dyfishi i buxhetit të SPAK në 2023. Vizioni im përfshin organizimin dhe konsolidimin e Prokurorisë së Posaçme. Askush nuk do të jetë mbi ligjin,” deklaroi Braho.

Ai solli në vëmendje rastin e konfiskimit të 18.4 milionë eurove në vitin 2023, duke e cilësuar si një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës së tij dhe duke theksuar se kjo shumë ishte sa dyfishi i buxhetit të SPAK në atë kohë.

Braho vuri një theks të veçantë tek roli i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke e konsideruar atë si një strukturë kyçe për efikasitetin e SPAK./rtsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale